Parlamenti ka miratuar Rezolutën kundër presidentit Ilir Meta, me 100 vota pro dhe vetëm 7 kundër. Vendimi i propozuar nga maxhoranca, erdhi pas dekretit të presidentit Meta, për anulimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.
100 deputetë votuan pro rezolutës “Mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit Nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.
2 votuan abstenim, 7 kundër dhe 1 mbeti pa votuar.
Ndërkohë Kreu i Kuvendit njoftoi se seanca e radhës do të jetë të hënën, 17 qershor ora 10:00.
Në rezolutë, maxhoranca e konsideron dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, një akt të paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit si të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019”, citohet në rezolutë.
Gjatë 5 orëve të mocion-debatit, socialistët por edhe deputetët e rinj që kanë marrë mandatet e djegura të opozitës, artikuluan arsyet e tyre se përse presidenti duhej shkarkuar.
I pari fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, e më pas të gjithë të tjerët. Spiropali, Braçe, Ahmetaj, Xhafaj, Manja, Bushka, Fino etj.
Të gjithë deklaruan se vendimi i Metës ishte në shkelje të Kushtetutës dhe se zgjedhje në datën 30 qershor do ketë.
Ata nuk ngurruan të bëjnë batuta lidhur me vendimin e kreut të shtetit ndërsa nuk harruan gjithashtu të shigjetojnë opozitën për dëmin e madh që po i bën vendit dhe integrimit europian.
I vetmi deputet socialist që nuk e ka kërkuar shkarkimin e Metës është Fino, i cili tha se kreu i shtetit duhej lënë të çonte deri në fund teatrin presidencial.
Meta nga ana e tij ka paralajmëruar një tjetër konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në orën 17:00, pas asaj të dy ditëve më parë./Hashtag.al