Vendosni fjalën kyçe....

Konfirmohen në detyrë dy kandidatët për SPAK-un


Konfirmohen në detyrë prokurori i krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe drejtuesja e prokurorisë së Elbasanit, Enkelejda Millonai.

Të dy janë kandidatë për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Millonai u hetua nga një trupë gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtare Brunilda Bekteshi dhe relator Roland Ilia.

Millonai, u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetjet rreth pushimit të një çështje me akuza për falsifikim ndaj gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu.

Millonai shpjegoi se kishte kryer hetime të plota duke dhënë detaje të procedurës së ndjekur dhe po ashtu shpjegoi arsyet pse çështja nuk i kishte kaluar për kopetencë një prokurorie tjetër, që sipas relatorit Roland Ilia dukej si “shkelje e Kodit të Procedurës Penale”.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 13.06.2019 për subjektin e rivlerësimit, znj. Enkelejda Millonai, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 14.06.2019 vendosi:

Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Enkelejda Millonai drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Elbasan.

Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues e kryesuar nga znj. Pamela Qirko, z. Roland Ilia relator, znj. Brunilda Bekteshi anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ndaj këtij vendimi, mund të ushtrohet  ankimim  pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Mara gjithashtu i kaloi me sukses tre kriteret. Për pasurinë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Gjithashtu, ai nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Vladimir Mara është prokurori i dosjes 339 dhe kandidat për SPAK.

Trupa gjykuese drejtohej nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Firdes Shulin. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hetuar procedurat e ekstradimit të Nazer Seitit, i akuzuar si pjesë e grupit “Habilaj”; çështje kjo që u pasua nga një debat politik në vend.

Relatorja Alma Faskaj tha në seancë se KPK administroi dokumentacionin e çështjes së ekstradimit dhe shqyrtoi qëndrimin e akuzës; pa dhënë ndonjë konkluzion mbi qëndrimin e mbajtur nga subjekti.

Gjatë shpjegimeve të tij, edhe prokurori Mara nuk u ndal gjatë te çështja “Seiti”. Ai tha se caktimi i masës së sigurisë nga gjykata për Seitin u ishte komunikuar të gjitha institucioneve dhe shtoi se ky fakt ishte dokumentuar si nga prokuroria, ashtu edhe nga një hetim administrativ i kryer për çështjen.

“Megjithëse është bërë ekstradimi, çështja penale ndaj tij ka vazhduar dhe aktualisht ndodhet në gjykim”, shtoi ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *