Dy doganierë në Korçë kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen se kanë lejuar të kalojnë makina me mallra kontrabandë.
Në prangat e policisë kanë rënë edhe dy persona të tjerë.
Sipas policisë, gjatë kontrollit ndaj dy mjeteve tip “Benz” dhe “Renault” të shtetasve A.K., dhe A.B., u gjetën mallra të ndryshme të dyshuara kontrabandë.
Dy doganierët, E.M, dhe L.M, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar shtetasit A.K., dhe A.B., për kalimin e mallrave kontrabandë.
Detajet e policisë:
Vijon puna për goditjen e aktivitetit të kontrabandimit të mallrave. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, 2 prej të cilëve me detyrë doganier.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kontrabandimit të mallrave, arrestuan në flagrancë shtetasit :
A.K, 40 vjeç,
A.B, 54 vjeç,
E.M, 39 vjeç, (me detyrë doganier në Doganën e Kapshticës) të tre banues në Korçë,
L.M, 32 vjeç, banues në Pogradec, (me detyrë doganier në Doganën e Kapshticës).
Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në hyrje të qytetit të Korçës, ndaj mjeteve tip “Benz” dhe “Renault” të shtetasve A.K., dhe A.B., iu gjetën mallra të ndryshme të dyshuara kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe proceduriale të kryera dyshohet se dy doganierët, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë favorizuar shtetasit A.K., dhe A.B., për të kaluar sasinë e mallrave të dyshuara kontrabandë, duke iu shmangur detyrimeve doganore.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjithashtu po nga kjo strukturë u bë ndalimi i shtetasit V.M., 38 vjeç, banues në fshatin Çermë, Lushnjë (me detyrë punonjës i një kompanie, që kryen punime pranë Gazsjellësit TAP) si edhe u referuan materialet në Prokurori ndaj shtetasit E.H, 32 vjeç, banues në fshatin Lubonjë.
Ndalimi i shtetasit V.M., u bë pasi dyshohet se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën një sasi prej 1000 litra naftë, nga mjetet e kompanisë ku është i punësuar dhe ja ka shitur më pas shtetasit E.H.
Sasia e naftës së gjetur në fshatin Lubonjë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.