Pasi presidenti i Republikës Ilir Meta, e quajti sot Parlamentin ilegjitim, ka ardhur një reagim nga qeveria socialiste.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ka thumbuar presidentin duke i përmendur se bashkëshortja e tij është kryetarja e një prej partive kryesore opozitare.
“Zoti Meta, jemi dakord me ju “Shqipëria është Republikë. Presidenti i takon Republikës dhe Republika u takon qytetarëve!”. Pikërisht për sa jemi dakord këtu, ju e keni humbur të drejtën të qëndroni në zyrën e Presidentit. Sepse Presidenti i takon Republikës jo Lulit dhe Monikës.”, shkruan Spiropali.
Duket se ministrja e ka ndjekur presidentin live, pasi përgjigja e saj në “Twitter” u bë vetëm pak minuta pas deklaratës së Metës.
Presidenti në një dalje për mediat, e konsideroi Parlamentin jolegjitim.
“Presidenti është zgjedhur nga një parlament plotësisht legjitim, jo nga ky i sotmi. Besoj se jam shumë i qartë. Presidenti është Republikë, dhe Republika është e qytetarëve.”, tha presidenti.
Meta tha sot se do të dekretojë shumë shpejt datën e re të zgjedhjeve vendore. Ai ishte i qartë kur tha se dekreti për shfuqizimin e 30 qershorit është në fuqi dhe se po mban shënim të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë, duke iu referuar këtu KQZ-së.