Vendosni fjalën kyçe....

Ademi: Rama kërkon nxitjen e konfliktit civil në Shkodër


Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi doli mesditën e sotme në konferencë për të denoncuar provokimet e veglave të Edi Ramës, siç thuhet në njoftimin e PD-së, me qëllim nxitjen e konfliktit civil.

Në bashkitë e drejtuara nga opozita ka nisur beteja për qendrat e votimit, pasi kryebashkiakët kërkojnë largimin materialeve të KQZ-së sepse nuk e njohin 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale. E njëjta situatë është edhe në kryeqendrën e veriut ku punonjësit e bashkisë kanë marrë masat për të rimarrë nën administrim ambientet që do të përdoren nga KZAZ-të.

Por Ademi deklaroi sot se punonjësit e Policisë Bashkiake janë shantazhuar nga disa persona civil, që janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit.

“Ata ndër të tjera i kanë kërkuar verbalisht, që në oren 15.30 të paraqiten në zyrën e oficeres së policisë gjyqësore Sulela Gerxhaliu. Ky është një veprim i paligjshëm dhe që nxit konflikt”, u shpreh Admi.

Ajo kërkoi nga organi i Prokurorisë që të informojë zyrtarisht bashkinë e Shkodrës nëse ka ndonjë kërkesë ligjore mbi veprimtarinë e këtij institucioni, si dhe i bëri thirrje oficeres Gerxhaliu që të reagojë për çështjen.

“Nëse personat civil të prezantuar si punonjës policie, kanë keqperdorur emrin e prokurorisë, i bëj thirrje oficeres së policisë gjyqësore Suela Gerxhaliu të zbatojë menjëherë ligjin dhe të marrë nën përgjegjësi penale personat që kanë abuzuar me detyren, nën emrin e saj”, tha kryebashkiakja.

Voltana Ademi shtoi se “bashkia Shkodër është e vendosur të zbatojë ligjin dhe i kërkon Policisë dhe sipas rastit Prokurorisë, të ndal menjëherë provokimin, ndaj bashkisë Shkodër. Nxitja e konfliktit nga vartësit e Edi Ramës nuk i shërben stabilitetit të vendit.”

Ajo theksoi gjithashtu se si “kryetare e bashkisë së Shkodrës jam e vendosur të zbatoj Dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës 30 Qershor. Asnjë kërcënim, nuk më ndal, as mua dhe as kolegët e mi në të gjithë Shqipërinë, që të veprojnë në respekt të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Shtetin personal, me institucione personale, Edi Rama nuk ka për  ta ndërtuar dot në Shkodër.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *