Një hetim i nisur për zbardhjen e disa prej ngjarjeve të rënda kriminale në vitet e fundit në Elbasan, humbi fokusin pas arrestimit të gazetares Suela Musta, anëtare e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).
Ndoshta ishte një strategji e gabuar publiciteti nga ana e autoriteteve ligjzbatuese për të miksuar dy zhvillime me karakter penal që nuk lidhen me njëra-tjetrën.
Ose, ajo që duket se ka më shumë mundësi, është një skenar Polici-Prokurori për t’i dhënë jehonë një rezultati larg pritshmërisë në luftën kundër kriminalitetit, me arrestimin, shumë të tepërt, të një gazetareje, për disa biseda për heqje gjobash ndaj një operatori kabllor privat.
Në Shtator 2018, Policia e Elbasanit i sugjeroi prokurorisë së qytetit ri-nisjen e hetimeve për disa ngjarje të rënda, të ndodhura gjatë viteve të fundit në qytet. Për qëllim të këtyre hetimeve, prokuroria urdhëroi vendosjen nën përgjim të disa personave, mes të cilëve edhe Bledar Karaj, një person i afërt me familje Çapja.
Bledar Karaj është administrator i dy pikave të një operatori kabllor, njërën prej të cilave të palicensuar. Gjatë kohës që prokuroria po kryente interceptime për veprat e rënda penale, konstaton biseda të Karajit me persona të tjerë, ku interesohej për heqjen e disa gjobave të vendosura nga inspektorët e Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA).
Burime për “Boldneës.al” nga grupi hetimor deklaruan se, në bazë të bisedave të përgjuara, Bledar Karaj, nëpërmjet një zyrtari të AMA-s, Andrea Nathanaili, ndërhynte tek anëtarja e këtij institucioni, Suela Musta, për heqjen e gjobave administrative.
Po sipas këtyre burimeve, anëtarja Musta, më tej, ndërhynte tek anëtarët e tjerë të AMA-s për të hequr penalizimet ndaj kabllorit të Bledar Karaj. Në bazë të këtyre të dhënave, prokuroria regjistroi procedimin për “korrupsion aktiv” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, duke e finalizuar hetimin me arrestimin e Mustës, Nathanailit dhe disa personave të tjerë, përfshirë edhe administratorin e kabllorit, Bledar Karaj.
Në bazë të të dhënave të siguruar nga “Boldneës.al”, si edhe të deklaruara në mënyrë sipërfaqësore nga konferenca për media e zv.drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë, Aida Hajnaj, mesditën e së Premtes, rezulton që Suela Musta ka ndërhyrë tek anëtarët e tjerë për të hequr gjobat ndaj kabllorit të Bledar Karaj.
Në këtë moment ngrihet një pikëpyetje thelbësore-nëse anëtarja Musta u arrestua për faktin që ka ndërhyrë tek anëtarët e tjerë për heqjen e gjobave, po kolegët e saj, të cilët kanë pranuar “ndërhyrjen”, a mbajnë të njëjtën përgjegjësi penale?
Për këtë pyetje, burime nga grupi hetimor deklaruan se “nëse do të kishte përgjegjësi për anëtarët e tjerë, do të penalizoheshin edhe ata”.
AMA është një institucion kolegjial dhe vendimmarrja e tij bazohet në votimin e shumicës së anëtarëve të tij. Në rast se një vendimmarrje, siç deklarojnë institucionet ligjzbatuese në rastin konkret, është ndikuar nga ndëhyrje të paligjshme, krijon bindjen se të gjithë anëtarët që kanë votuar në favor të heqjes së gjobave për kabllorin anonim në Elbasan, duhet të ishin para përgjegjësisë ligjore.
Megjithatë, nuk ka ndodhur kështu. Prokuroria e Elbasanit, në bazë të provave të mbledhura deri më tani, ka krijuar bindjen për përfshirje në veprimtari penale vetëm për anëtaren, njëkohësisht gazetare, Suela Musta.
Autoriteti i Medias Audiovizive përbëhet nga 7 anëtarë dhe prej fundit të vitit 2014 drejtohet nga Gentian Sala, ish-drejtor i kompanisë private “Digitalb”, nën administrimin e televizionit pro-qeveritar Top Channel.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Boldnews.al