Vendosni fjalën kyçe....

Mbi ndershmërinë, Suelën dhe patetizmin


Nga Sokol Shameti

Ata kolegë gazetarë që flasin për lirimin e Suela Mustës nga akuzat për shkak të origjinës së saj si e persekutuar, në të vërtetë po e fyejnë Suelën.

Nuk ndihmohet dikush që e arrestojnë me akuzë korrupsioni duke justifikuar se ajo s’ka si të jetë e korruptuar pasi ka atë ose këtë prejardhje, apo se prindërit e saj janë ata apo këta.

Kur dikush është i ndershëm, është i ndershëm vetë. E kur dikush është i pafajshëm, është i pafajshëm jo për shkak të pafajësisë së paraardhësve.

Të thuash se Suela Musta duhet liruar ngase është turp të arrestohen fëmijët e ish-të persekutuarve, do të thotë ta quash Suelën të paaftë për të pasur një ndershmëri të sajën e se pafajësia i takon asaj jo pse është e pafajshme por sepse të pafajshme duhen konsideruar genet e trashëguara të saj.

Dhe kjo, o miq, është fyerje për vetë njeriun. Është identifikim i tij me një objekt i cili realitetin thjesht e pëson ashtu siç e pëson plaçka, gjësendi, jofrymori – pa pasur pra kurrë ndonjë karakteristikë që lë mbresë mbi realitetin.

Lëreni Suelën të dëshmojë integritetin dhe ndershmërinë e saj pa e ngatërruar nëpër marrina origjinash, prejardhjesh dhe superioritetesh raciale.

Nuk shprehet solidariteti me patetizëm, por me kontribut mbi objektivitetin. Duke e njohur Suelën, si ish-koleg i saj e po ashtu me prirjen për të qenë empatik me atë që mund të sakrifikohet vetëm pse është më i dobëti në një mjedis bërrylash e pasimesh, uroj që ajo të dalë faqebardhë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *