Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit në Kosovë, Pal Lekaj, ka treguar arsyen e bllokimit të tetë autobusëve të Shqipërisë, sot në pikën kufitare në Morinë.
Në një prononcim për Gazetën Express, Lekaj ka deklaruar se arsyeja se pse autobusëve iu është ndaluar kalimi në pikën kufitare në Morinë, është keqpërdorimi i lejes nga operatorët e Shqipërisë.
Lekaj shtoi se pezullimi do të vazhdojë deri në një takim të komisioneve teknike nga të dyja shtetet.
“Operatorët nga Shqipëria kanë poseduar leje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, për kalim nëpër territorin e Kosovës vetëm tranzit. Por kjo leje është keqpërdorur në vazhdimësi, autobusët kanë ndaluar edhe nëpër stacionet e Kosovës për të marrë udhëtarë, prandaj departamenti përkatës në MIT, ka pezulluar këtë leje. Pezullimi do të vazhdojë deri në takim të komisioneve teknike nga të dyja shtetet, për shqyrtim”, tha Lekaj.
Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, tetë autobusë të linjës Kosovë- Tiranë u bllokuan në pikën kufitare në Morinë. Shkak për këtë ishte bërë një urdhër i ministrisë së Insfrastrukturës dhe Transportit në Kosovë. Mes pasagjerëve që pritën për orë të tëra në diell, kishte edhe shumë fëmijë.
Rifat Hajdinaj, kryetar i shoqatës së transportit publik të linjave Bajram Curr-Kosovë-Tiranë, tha para kameravese nuk ishte vënë në dijeni për këtë urdhër dhe u bëri apel dy qeverive të zgjidhin situatën.