Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Maqedonisë së Veriut, që i kërkoi Këshillit Europian që vendi i tij të ndahet nga Shqipëria për procesin e hapjes së negociatave.
Kryeministri Rama, përmes një postimi në “Twitter”, e ka quajtur të padrejtë dhe aspak praktik idenë e Stevo Pendarovskit.
“Presidenti @SPendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat?Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë&shqiptarëve në zhvillimet demokratike&rrugën europiane të shtetit mik.S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”, shkruan Rama.
Presidenti i Maqedonisë Veriore Stevo Pendarovski, ka kërkuar që vendi i tij të trajtohet i “veçuar” nga Shqipëria fqinje për hapjen e negociatave.
Ai ka frikë se kur Bundestagu do shqyrtojë çështjen në qershor, “paketa dyshe” do të dëmtojë Maqedoninë.
“Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar’“, thotë ai.