Vendosni fjalën kyçe....

Qyteti turistik në Belgjikë kërkon zvogëlimin e vizitorëve


Banorët e Bruges, qytetit më të madh të rajonin perëndimor Flandria ose Flamania, përgatiten për të ulur numrin e turistëve që vijnë në këtë qytet belg.

Qyteti është i banuar nga flamanët të cilët flasin një dialekt të gjuhës holandeze. Qyteti ka 117.000 banorë, 20.000 prej të cilëve jetojnë në qendrën e mbrojtur historike e cila ndodhet në listën e UNESCO-s për trashëgimi kulturore.

Kryetari i qytetit, Dirk De Fauw, thotë se numri i turistëve që vizitojnë qytetin është tre herë më i madh se numri i banorëve, andaj numri i vizitorëve duhet të kufizohet për shkak të vështirësive.

“Është e nevojshme që të kontrollojmë ardhjen e turistëve. Nuk dëshirojmë që Bruges të shndërrohet në Disneyland”, thotë De Fauw.

Ai po ashtu thotë se në vend të vizitave ditore të turistëve, duket inkurajuar kapacitetet hotelierike në qytet dhe “vizitat masovike” që të realizohet fitim. Në këtë kontekst, është vendosur që të ndërpriten reklamat dhe fushatat promovuese që kanë të bëjnë me shëtitjet ditore.

De Fauw gjithashtu vlerëson se duhet ulur numri i anijeve turistike të cilat zbarkojnë në portin në afërsi të qytetit, duke kërkuar nga ato që të zbarkojnë në ditët e punës në vend të fundjavës, kur edhe shënohet qarkullim i madh i njerëzve në këtë qytet.

Nga ana tjetër, edhe qytetarët e Bruges-it ankohen se ekzistojnë vetëm shitore për turistë në qendër të qytetit, Ata ankohen se hasin në vështirësi kur duan që të blejnë gjëra për në shtëpi, pasi qendra e qytetit është e “uzurpuar” nga turizmi.

Qytetin e vogël historik, i cili është në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, vitin e kaluar e kanë vizituar rreth 8,3 milionë njerëz. Mesatarisht deri në 60.000 turistë në ditë e kanë vizituar qytetin.

Qyteti Bruges është atraktiv për turistët pasi është i pasur me arkitekturë të bukur dhe të ruajtur mesjetare.

Porti i qyteti përgjatë historisë ka pasur rëndësi të madhe ekonomike, madje në fund të shekullit të 19-të është quajtur edhe kryeqyteti tregtar i botës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *