Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë kërkon transparencë për arrestimin e Mustës: Të mos përdoret politikisht


Një ditë pas arrestimit të anëtares së AMA-s Suela Musta, ka reaguar Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë.

Përmes një deklarate, kjo shoqatë kërkon nga organet ligjzbatuese të bëjnë trasparencë lidhur me ngjarjen, në mënyrë që gazetarja Musta, të mos përdoret për sfond influencash politike.

“Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin shqetësimin për ndalimin e koleges Suela Musta, anëtare e AMA-s, në kushtet kur vetë institucionet nuk ofrojnë transparencë mbi “rrezikshmërinë” e znj.Musta, për një masë të tillë të ekzekutuar nëpër natë, sipas informacioneve sporadike për dhënien e një licence, nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, për një TV klabllor në Elbasan dhënë persona tepër të njohur për policinë, e sot në arrestuar.

Pa ndërhyrë në diskrecionin e hetimit, kërkojmë nga organet ligjzbatuese të bëjnë trasparencë, në mënyrë që kolegia Musta dhe një tjetër koleg i shpallur në kërkim, të mos përdoret për sfond influencash politike në aksione me efekt të dirigjuar publik.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë po ndjekin me vëmendje këtë rast e solidarizohet me kolegët, që po përballen me këtë situatë kaq të paqartë.”, thuhet në deklaratë.

Gazetarja Suela Musta u arrestua gjatë një operacioni në Elbasan ditën e djeshme dhe një tjetër koleg i saj u shpall në kërkim.

Ndalimi i gazetares Musta u bë nën akuzën e korrupsionit, për shkak të licencës së kabllorit që Çapjat në Elbasan kanë marrë nga AMA.

Por licencat jepen me shumicë votash të Bordit prej 7 anëtarësh të AMA-s dhe Musta e cila ishte zgjedhur nga opozita, ishte vetëm një votë për dhënien e kësaj licence. Pas arrestimit të Mustës sikur të ishte një kriminele, pati një reagim të fortë nga kolegët e saj.

Themeluesja e “Open Data”, Aranita Brahaj, bën pyetjen që do bënte kushdo kur shikon përdorimin e dy standardeve, ndryshe për ministrat socialistë që janë në hetim për trafik ndërkombëtar droge, e ndryshe për gazetarët.

“Ej Policia e Shtetit a arrestove kështu ndonjë nga ministrat e tu me skaf ?!!!!!”, pyet gazetarja.

Muaj më parë, Saimir Tahiri, siç e tregon edhe video më poshtë jo vetëm që nuk u arrestua nga forcat “RENEA” por në shoqërim i dërguan një efektive femër, gjatë shoqërimit në gjykatë kur apeloi masën e sigurisë. Efektivja e përgëzonte, ndryshe nga terrori mëngjesor i RENEA-s.

Gazetari Armand Maho e cilësoi arrestimin e Mustës, një ndër gazetaret e para pas ’90-ës në Shqipëri, një hakmarrje të pastër politike ndaj saj. Ai kujton se i ati i Suelës ka kaluar një jetë burgjeve të komunizmit e internimeve. Ndërsa gazetari Mentor Kikia, kërkoi lirimin sa më të shpejtë të saj, siç thotë ai “pa na mbuluar të gjithëve turpi”.

 

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *