“Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk do trembet” – ka deklaruar kreu i opozitës së bashkuar, Basha.
Në një status në llogarinë e tij në Facebook, kryedemokrati shkruan se pavarësisht kërcënimeve të Ramës në turin e tij në Shqipëri e pavarësisht arrestimeve, askush nuk trembet nga kërcënimet e tij.
Basha shkruan se fundi i Ramës dhe i veglave të tij qorre në qeveri, prokurori e polici është afër. Në fund kreu i PD-së, shkruan se asgjë e keqe nuk do ndodhë kurse Rama dhe shërbëtorët e tij do ikin.
“Edi Rama ka javë që bredh nëpër Shqipëri duke ngjallur panik e duke kërcënuar sa me djegie të vendit dhe sa me burgosje të të gjithë opozitës. Kam një lajm të keq për të: Shqipëria nuk do digjet dhe opozita nuk trembet.
Këto muaj e fundit Rama ka ndaluar dhe arrestuar qindra qytetarë dhe opozitarë, së fundi drejtuesit e PD së Elbasanit dhe Librazhdit, dhe të gjithë e kanë parë se askush nuk trembet nga kërcënimet dhe veprimet e tij perverse.
Këtë shqiptarët po ja provojnë atij përditë kudo nëpër Shqipëri, të cilën ai tani e viziton nën mbrojtjen e qindra forcave policore, sikur të jetë duke ecur përmes një territori armik dhe jo vendit të tij.
Fundi i tij dhe i veglave të tij qorre në kuvend, qeveri, polici, prokurori është i pashmangshëm!
Ai e di këtë, prandaj është shpërfytyruar dhe po bën atë që bëjnë kriminelët kur rrethohen: po kërcënon se do të shpërthejë bombën e do t’i hedhë të gjithë në erë.
Dua t’u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi se duhet të jenë të sigurtë, asgjë e keqe nuk do të ndodhë: Edi Rama do të ikë dhe të vetmit që do të marrë me vete do të jenë mercenarët e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin.” – shkruan Basha në “Facebook”.