Nga Japonia, mesfushori francez Pogba është shprehur hapur për largimin e tij nga Manchester United, në kërkim të një aventure të re.
Ai e ka pranuar se është shumë pranë largimit, mes zërave për një lëvizje te Reali i Madridit ose një rikthim te Juventusi.
Duke folur për një turne promovues në Tokio, francezi 26-vjeçar tha: “Ka shumë biseda dhe shumë mendime. Për mua kam qenë për tre vjet të mira në Manchester dhe kam bërë shumë. Kam pasur momente të mira dhe disa momente të këqija, si të gjithë. Ashtu si kudo tjetër. Pas këtij sezoni dhe gjithçka që ndodhi këtë sezon, mendoj për mua se mund të jetë një kohë e mirë për të pasur një sfidë të re diku tjetër. Unë po mendoj për këtë, të kem një sfidë të re diku tjetër”.
Statistikisht, sezoni i kaluar i Pogba në Manchester ishte më i miri në një nivel personal pasi ai shënoi 16 gola dhe dha 11 asiste.
Që kur u bashkua me anglezët në vitin 2016 në një marrëveshje rekord botërore me vlerë rreth 110 milionë euro, ai fitoi Kupën e Ligës dhe UEFA Europa League, si dhe Kupën e Botës me Francën.