Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Thirrja në prokurori është bërë në shkelje të ligjit


Kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9.30.

Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, kryedemokrati shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo “të zbatojë me përpikmëri ligjin”.

Sipas kryedemokratit, në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve që kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për këtë arsye, Basha i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”– shprehet Basha në letrën e tij.

 Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatuar ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë. Në këto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës për paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ishte thirrur nga Prokuroria për të dhënë dëshminë e tij, për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse.

Nën hetim janë marrë gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi ekonomist në PD.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, kryedemokrati duhet të paraqitet më 17 qershor në orën 09:30 ose në të kundërt do të shoqërohet me forcë. Por në reagimin e tij, Basha kërkon plotësimin e disa procedurave ligjore, para se të paraqitet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *