Vendosni fjalën kyçe....

Kolegët solidarizohen me gazetaren Suela Musta, thirrje institucioneve: Kujdes me terrorin që bëni!


Pas arrestimit të gazetares Suela Musta, kolegët e saj janë mbledhur në protestë si shenjë solidarizimi, duke kërkuaj drejtësi jo vetëm për anëtaren e AMA-s, por për t’i bërë thirrje institucioneve të policisë dhe prokurorisë të tregohen të kujdesshëm me veprimet e tyre.

Gazetarët kanë vendosur disa pankarta në murin e Prokurorisë me mbishkrime si “Zonja Marku heto kriminelët në pushtet, jo shërbëtorët në mbështetje të të bërit shtet”, apo “Lironi Suelën, arrestoni kriminelët”.

“Në fakt nuk jemi sot për të mbrojtur Suelën, sepse faktet treguan që provat ishin të pamjaftueshme, vetë drejtësia do ta mbrojë Suelën. Ne jemi këtu për t’i bërë thirrje institucioneve hetimore të jenë të kujdeshme ndaj terrorit që përdorin. Është e pakuptueshme mënyra se si arrestojnë, çfarë presioni ata bëjnë, në 6 të mëngjesit, me forcat RENEA, ndërkohë po e njëjta gjykatë zbut masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpiak”. Atëhere, çfarë po ndodh me drejtësinë? Sot ishte Suela, nesër do të jem unë apo dikush tjetër”, tha gazetarja dhe pedagogia Valmora Gogo.

“Rasti i Suelës është i paprecedentë, tregon se ose kjo prokurori ka probleme me aftësinë e saj për të vërtetuar ose kemi të bëjmë me një lloj prapavije politike.

Gazetarët punojnë më shumë kur ndihen në këtë lloj presioni shtetëror.”, tha gazetari Dritan Laçi.

Gazetari dhe aktivisti, Aulon Kalaja: “Më ka bërë përshtypje arrestimi nga forcat RENEA. Në 6 të mëngjesit t’i shkosh një gazetareje. Pse duhej të sulmohej vetëm kjo? Dal këtu për t’u solidarizuar me këtë ngjarje të turpshme që ka bërë policia private e kryeministrit. Këtu erdhën edhe policia pak më herët, siç duket shqetësohen nga fjala e lirë e qytetarëve.”

Gazetarja Klodiana Lala: “Nuk jam sot këtu për të thënë nëse Suela është e fajshme apo e pafajshme, sepse në fund fare ajo do të duhet të na e vërtetojë me integritetin e saj sikurse ne e njohim. Jam për t’u kërkuar institucioneve: Mos vallë duhet të ishin më humane institucionet në rastin e Suelës? Pse e them këtë? Sepse ne kemi hetuar me masa më të lehta arresti kriminelë, ish-ministra, personazhe të krimit të organizuar. Që të arrestohej, do duhej që personi, në rastin konkret Suela të prishte provat, të arratisej, apo të përvbënte rrezikshmëri të lartë shoqërore. A mund të më thotë Prokuroria dhe gjykaësi se cilat nga këto kritere plotësonte Suela?

Vallë qenka kjo Suela Musta, kriminelja e madhe e këtij vendi?

Mesa duket nga frika e Vettingut, aq herë ata firmosin letra dhe arreste me burg. Hetojini gazetarët, por hetojini në procedurat e duhura. Sa i përket pafajësisë së saj, unë jam e interesuar që Suela të na e dëshmojë që është e pafajshme.

Gazetarja Suela Musta, njëkohësisht anëtarja e Autoritetit të Mediave Audiovizuale është liruar dje nga gjykata, pas zbutjes së masës së sigurisë dhe do të hetohet në gjendje të lirë.

Prokurori i çështjes kërkoi arrest shtëpie për gazetaren, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme dhe faktit se nuk përbënte rrezik për prishjen e tyre, nëse ajo nuk qëndronte në burg.

Gazetarja u dërgua prapa hekurave duke u marrë me forcë nga banesa e saj në orën 6 të mëngjesit, sikur të ishte një kriminele, për shkak të një liçence dhënë Capjave nga AMA. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *