Kryetari i Partisë Dmeokratike Lulzim Basha akuzon ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj se po i bën shantazh për qëllime politike.
Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm, demokratët përmendin një takim që ka ndodhur mes ministrit Lleshaj dhe një prej punonjësve të gardës së Republikës, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas ministrisë së brendshme kreut të opozitës.
Në letrën që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, thuhet se ministri Lleshaj ka shkelur çdo procedurë dhe çdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështjeje.
PD i kërkon Lleshajt llogari se pse ky takim ka qenë informal dhe jashtë çdo standardi profesional. Sipas demokratëve, nëse do të kishte rrezik real për jetën e Bashës, kjo nuk mund të varet nga një punonjës i thjeshtë i gardës.
Sipas shkresës së PD-së, qëllimi i vërtetë i takimit ka qenë shantazhi i kryetarit të opozitës.
“Keni shkelur ligjin. Informacionin duhet ta dërgoni zyrtarisht në Gardë, Lleshaj ka detyrim të sqarojë mënyrën e marrjes së informacionit për rrezikun e sigurisë së kryetarit të PD. Mënyra joligjore e trajtimit të çështjes mund të përfshijë Lleshajn në një manipulim për qëllime politike.
Trajtimi joligjor përforcon dyshimin se qëllimi i vërtetë i takimit është shatazhimi i Kryetarit të opozitës. Kërkojmë informacion zyrtar mbi motivet që ju kanë shtyrë të trajtoni çështjen në shkelje flagrante të ligjit. Kërkojmë të na informoni mbi seriozitetin dhe besueshmërinë e informacionit që keni përcjellë për rrezikun që i kanoset sigurisë së kryetarit të opozitës”, thuhet në kërkesën e PD-së për informacion.