Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj në një konferencë për shtyp ka deklaruar se shtyrja e datës për hapjen ose jo të negociatave është një lajm jo inkurajues.
Sipas tij kjo shtyrje është motivuar nga mungesa e kohës për procedurat e tyre të brendshme.
“Sot Këshilli i çështjeve të përgjithshme në Luksemburg ka marrë vendim për shtyrjen e e vendimit dhe hapjen e negociatave për një moment tjetër por jo më larg se tetori. Kjo shtyrje është motivuar vetëm nga mungesa e kohës se mjaftueshme për procedurat e tyre të brendshme”- tha ai.
Cakaj më tej tha se shtyrja e vendim-marrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë, pasi në gjykimin e tij vendi e kishte merituar hapjen e negociatave që vitin e kaluar.
“Shtyrja e vendim marrjes nuk është një lajm inkurajues për Shqipërinë. Shqipëria ka merituar hapjen e negociatave që vitin e shkuar por sidoqoftë që vitin e shkuar Shqipëria ka filluar procesin e screen-it. Që nga viti i shkuar Shqipëria nuk ka humbur asnjë moment në axhendën e saj. Sot më shumë se kurrë në këtë periudhë, përpjekjet tona duhet të shtohen që të sigurojmë një vendim pozitiv në tetor. Shtyrja e vendimmarrjes nuk është as shkas për sjellje të matura politike por as të përkthehet në rënie të energjive reformatore. Shqipëria duhet të vazhdojë në këtë rrugë me përpjekje”-tha Cakaj.