Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi thotë se largimi i kryeministrit Edi Rama dhe çlirimi i sistemit nga diktatura e krimit është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në reagimin e saj Kryemadhi thekson se perspektiva europiane me Ramën është e pamundur.
Ajo bën thirrje për një bashkim kombëtar.
Postimi i Kryemadhit:
Shpresat për çeljen e negociatave me Shqipërinë u shuan edhe këtë qershor! Bashkimi Europian dha sinjalin më të fortë se perspektiva europiane me Edi Ramën dhe qeverinë e tij është e pamundur.
Largimi i Ramës dhe çlirimi i sistemit nga diktatura e krimit, është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët!
Ne jemi të vendosur në kauzën tonë, për themelin e demokracisë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jemi të vendosur në anën e drejtë të historisë në luftën pa kompromis me krimin e organizuar dhe krijimin e një Shqipërie me mundësi të barabarta dhe liri ekonomike, që shqiptarët ta ndërtojnë jetën këtu, në shtëpinë e tyre!
Sot është koha për një bashkim kombëtar! Të gjithë bashkë në 21 Qershor për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!