Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në Tropojë, thyhen xhamat dhe dyert e KZAZ-së


Mëngjesin e sotëm ka patur përplasje në Tropojë, në një prej KZAZ-ve. Mësohet se disa persona kanë thyer xhamat dhe dyert e KZAZ-së Nr. 9, ku kanë marrë të gjitha materialet zgjedhore. Gjatë incidentit, këta persona janë përplasur me policinë.

Grupi i madh i protestuesve, mes të cilëve edhe ish-deputeti Isuf Qela, u futën me forcë brenda qendrës së KZAZ-së nr 9. Ata debatuan me drejtuesin e Policisë së Tropojës, Nik Nikollaj.

Pak ditë më parë, Bashkia e Bajram Currit i kërkoi KQZ-së me anë të një shkrese zbatimin e vendimit të Presidentit Meta, për shfuqizimin e 30 qershorit si datë zgjedhjeje për qeverisjen vendore si dhe lirimin e mjediseve të vëna në dispozicion nga ky institucion për procesin zgjedhor.

Bashkia kishte lënë si afat për lirimin e këtyre ambienteve deri në orën 10:00 të paradites së sotme, por mosrespektimi i këtij afati ka sjellë përplasjen mes mbështetësve të bashkisë Bajram Curri dhe forcave të rendit.

Kujtojmë se përplasje të tilla vijojnë prej dy ditësh në bashkinë e Shkodrës, në KZAZ-në Nr.2.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *