Shtetet e Bashkimit Evropian nisën të hënën takimin në Luksemburg, për çeljen e negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mirëpo Qipro kërcënoi se do vërë veton për çdo marrëveshje mbi zgjerimin e ardhshëm, nëse BE nuk ndjek një politikë të ashpër me Turqinë kundër shpimeve në det të hapur në Mesdheun lindor, që qeveria greke qipriote thotë se shkel zonën e saj ekskluzive tregtare. Takimi vijoi edhe të martën, ku 28 shtetet e bllokut diskutuan fillimin e negociatave formale të anëtarësimit të dy vendeve të Ballkanit, një vit pasi Franca dhe Holanda e bllokuan atë, duke kërkuar më shumë reforma nga frika e shqetësimit të parlamenteve dhe votuesve të tyre në shtëpi.
Por sipas një artikulli të “Reuters” ministrat e BE-së nga 28 shtetet e bllokut kanë patur mosmarrëveshje mes tyre.
“Por diplomatët që përgatitën takimin e së martës nuk arritën një marrëveshje mbi një deklaratë të përbashkët ligjore, e cila ka nevojë për mbështetjen unanime të të gjitha shteteve të BE-së që të miratohen.
‘Ka pasur një mosmarrëveshje masive dhe nuk është aspak e sigurt se nesër ministrat do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje”, tha një diplomat i BE-së.
Grindjet vazhduan në draftin e fundit të tekstit, ku thuhej se zgjerimi do të varet gjithashtu nga aftësia e BE-së për të reformuar veten dhe për të integruar në mënyrë efektive çdo anëtar të ri.
Drafti i fundit – por ende i diskutueshëm – i cili u pa nga Reuters, do të shtyjë çdo vendim mbi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor dhe pasi parlamenti gjerman do të shqyrtojë çështjen.”, thuhet në shkrim.