Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka reaguar lidhur me vendimin e Parlamentit të Holandës, për heqjen e vizave për shqiptarët dhe depozitimin e këresës në KE.
Këtë vendim dhe deklaratat e komisionerit Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte marrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, presidenti Meta e quan një “kambanë alarmi për të gjithë”.
Meta u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse, të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje dhe bën thirrje të merren urgjentisht të gjitha masat e nevojshme që kjo të mos ndodhë.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka ndjekur me vëmendje të gjitha qëndrimet dhe diskutimet që po zhvillohen këto kohë mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërkohë që e gjithë vëmendja është përqendruar drejt një vendimi të mundshëm pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE, Presidenti vëren me shqetësim të thellë rrezikun e rivendosjes së regjimit të vizave Shengen për Shqipërinë.
Pas depozitimit të kërkesës së Holandës për pezullimin e vizave drejtuar Komisionit Europian, njoftimi i djeshëm i Komisionerit për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos që paralajmëronte ndërmarrjen e masave ndaj Shqipërisë, krahas Venezuelës dhe Kolumbisë, është një kambanë alarmi për të gjithë.
U bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse të ndjekin me prioritet absolut këtë çështje që mbart një ndjeshmëri të madhe për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Lëvizja pa viza ka qenë ndër arritjet më të mëdha me ndikim të drejtpërdrejtë për shqiptarët, si populli që ka vuajtur izolimin më të madh e të gjatë në rajon.
Të gjithë i mbajmë mend radhët e gjata përpara dyerve të ambasadave, me familjarë të dëshpëruar në kërkim të një mundësie për të ritakuar fëmijët, të afërmit, apo të mundësisë për të studiuar dhe udhëtuar jashtë vendit, etj.
Bëj thirrje, të merren urgjentisht të gjitha masat e nevojshme duke mos neglizhuar apo anashkaluar asnjë përgjegjësi që do të dëmtonte dhe prapësonte këtë liri të fituar të shqiptarëve!”, thuhet në njoftimin e presidentit Meta.