Vendosni fjalën kyçe....

Rudina Hajdari: Përgjimet e ‘Bild’ u nxorën me qëllim


Deputetja Rudina Hajdari thotë se publikimet e gazetës “Bild” u publikuan me qëllim, në ditën kur kryetari i PD-së Lulzim Basha u thirr në Prokurori.

Hajdari shtoi se përgjimet ngjajnë si ato në Maqedoninë Veriore, para se të rrëzohej nga pushteti Nikola Gruevski.

“Zbulimi i përgjimeve nga gazeta Investigative “BIRN” dhe nga Zëri i Amerikës e më pas nga gazeta Gjermane ‘Bild’ tregon një ndryshim të strategjisë për sa i përket këtyre përgjimeve, që taktikisht janë përdorur për të ngritur modelin e Maqedonisë së Veriut dhe për të rrëzuar një qeveri, ashtu sic ndodhi atje me qeverinë e Gruevskit.

Garancinë, që një model i këtij lloji mund të ndodhë, e dha një gazetë gjermane që mesa duket ka edhe mbështetjen e një pjese të Budenstagut Gjerman për një përmbysje të tillë, po pa marrë në konsideratë hetimet e tjera që po ndodhin në Prokurorinë e Tiranës.

Ajo që është e qartë, përvec faktit të mungesës së shtetit të së drejtës, është se asgjë nuk është rastësi. Dalja e përgjimeve pikërisht në një datë kur Kryetari i PD-së shmangi paraqitjen në Prokurori, me fjalën se do ta arrestonin, ka ndezur gjendjen aktuale dhe pritet të ketë akoma më shumë ngjarje në ditët në vijim.”, shkruan Hajdari.

Deputetja e cila refuzoi t’i bashkohej kauzës së kolegëve për të djegur mandatet, thotë se të gjitha palët janë të përfshira.

“Ajo që është e qartë nga e gjithë kjo histori është se të gjitha palët janë të zhytura në probleme të mëdha me ligjin dhe me shtetin e së drejtës. Të gjitha palët e kanë humbur legjitimitetin e tyre përpara popullit si përfaqësues të denjë për të mbrojtur interesat më minimale publike.

Të gjitha palët janë të gatshme të hedhin Shqipërinë në erë ashtu sic po ndodh me negociatat me Bashkimin Evropian në mënyrë që asnjë palë të humbin influencën dhe pushtetin e tyre si brenda dhe jashtë vendit.”, shton Hajdari.

Deputetja Hajdari disa herë ka bërë deklarata kontroverse, që shpesh herë shkonin në linjën e kryeministrit Rama. Pasi nuk pranoi të digjte mandatin, ka kritikuar opozitën disa herë ndërkohë që ajo në Parlament supozohet të jetë “në opozitë”. Ajo nuk mbështeti as vendimin e presidentit Ilir Meta, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *