Vendosni fjalën kyçe....

Dhuna në KZAZ, policia shpall në kërkim ish-deputetin Bardh Spahia


Pas përplasjeve në KZAZ-në në Shkodër, policia ka shpallur në kërkim edhe ish-deputetin e Partisë Demokratike Bardh Spahia.

Protestues nga opozita u grumbulluan mbrëmjen e kaluar pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku ndodhen materialet zgjedhore për qarkun të dorëzuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Punonjës të Policisë Bashkiake të Shkodrës, të mbështetur nga simpatizantë të Partisë Demokratike dhe ish-deputeti Bardh Spahia janë përplasur me efektivët e policisë që ruanin derën e KZAZ nr. 3 dhe me forcë kanë hyrë në ambientet e brendshme. Protestuesit kanë thyer xhamat e shkollës dhe kanë tentuar t’i vënë flakën.

Pas përplasjeve në Shkodër, Spahia u distancua nga dhuna duke thëën se prezenca e tij dhe kolegëve në Shkodër ka për qëllim ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e përplasjeve të mundshme mes qytetarëve dhe policisë së shtetit. 

“Unë jam në Shkodër. Tek dega e PD, po fillojmë një mbledhje të kryesisë. Gjendja është e qetë. PD në fakt kishte organizuar një takim tek KZAZ 2 në orën 8, tek pallati i Sportit. Ne u njoftuam se në një tjetër KZAZ  kishte pasur shtim të forcave të policisë. Aty ishin forca të shumta, policie dhe FNSH. Shkolla është uzurpuar nga policia. Nuk ka pasur absolutisht qytetar tek shkolla kur ka shkuar FNSH . Sigurisht se distancohemi nga aktet e dhunës. Prezenca jonë është për të qetësuar situatën  mes qytetarëve dhe policisë. Ka një situatë tejet të tensionuar dhe absurde të Policisë së shtetit, e cila po zbaton urdhrat në kundërshtim me ligjin”-tha Spahia.

Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar 7 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim disa të tjerë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *