Vendosni fjalën kyçe....

Policët përballë policëve për KZAZ-të, cilat janë vatrat e nxehta


Pas kërkesës të disa bashkive të drejtuara nga opozita, për lirimin e KZAZ-ve dhe largimin e materialeve zgjedhore, ka shpërthyer kaosi në disa qytete.

Në fillim ishte Shkodra, pastaj Tropoja, Kamza e Kavaja dhe përplasjet mes qytetarëve e policëve bashkiakë dhe atyre të rendit kanë shpërthyer dhe në KZAZ-të nëpër qytetet e tjera.

Përplasje në Korçë e Pogradec, rrethohet KZAZ-ja e Bilishtit

Përplasje sot janë shënuar edhe në KQZ-në e Pogradecit. Mbështetësit e Partisë Demokratike shkuan në KZAZ-në Nr. 67, për të kërkuar heqjen e materialeve zgjedhore dhe lirimin e ambienteve të KZAZ-së.

Mes qytetarëve dhe drejtuesve te policisë ka patur përplasje. Ish-deputeti Klevis Balliu tha se mbajtja e materialeve zgjedhore në KZA-së është shkelje e ligjit.

“Kërkojmë të largohen materialet nga KZAZ, është shkelje ligji . Nuk ka zgjedhje deri në vendosjen e një date tjetër per zgjedhjet. Nuk është legjitime”, tha Balliu.

Përplasje ka patur edhe në Korçë. Forca të shumta policore dhe forcat speciale kanë rrethuar dhe KZAZ 70 në Bilisht.

Situata në Gjirokastër

Edhe drejtuesit e opozitës në Qarkun e Gjirokastër bashkë me simpatizantë i janë drejtuar qendrës së KZAZ-së nr 78 për të hequr materialit zgjedhore. Ata janë përballur me forca të shumta të policisë ku ka pasur edhe debate midis tyre.

Drejtuesit e Policisë mbështetën kërkesën e për mbarëvajtjen e procesit në bazë të një vendimi të dhënë nga KQZ.

Aanëtari i Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, Dasho Aliko tha: “Unë si këshilltarë ju kërkoj të na lironi ambjentet e Bashkisë. Ju jeni nëpunës të shteti dhe dekreti i Presidentit e ka bërë nul datën 30. Ne kemi ardhur për të mbrojtur dekretin e tij si qytetarë por edhe si anëtar i Këshillit të Bashkisë. Ndaj ju lutem, hidhini materilet në një ambient privat dhe kjo të boshatiset dhe ti kthehet bashkisë”.

Përplasje edhe në Skrapar

Përplasje mes policisë dhe bashkisë ka pasur edhe në KZAZ 66 në Skrapar.

Mbështetës të opozitës kërkojnë që të lirohen ambientet  në Pallatin e Kulturës, pas vendimit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve.

KZAZ-ja është e rrethuar me forca të shumta policie, ndërsa punonjës të bashkisë dhe mbështetës të opozitës tentojnë të hyjnë me forcë për të liruar ambientet. 

Disa të lënduar në KZAZ-në 16 në Burrel

Disa persona kanë mbetur të lënduar pas përplasjeve në KZAZ-në Nr. 16 në Burrel. Mësohet se mbështetës të opozitës kanë shkuar në ambientet e KZAZ-së, për të nxjerrë nga aty materialet zgjedhore, duke kërkuar zbatimin e dekretit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Por forcat e policisë së shtetit kanë ndërhyrë për t’i ndaluar ata dhe kanë përdorur gazlotsjellës për t’i shpërndarë. Madje ka patur edhe përplasje fizike dhe ka të lënduar nga të dy palët.

Të lënduarit janë drejtuar drejt spitalit, ndërkohë që nuk dihet se sa është numri i tyre.

Tensionet në Kamzë, humb ndjenjat polici bashkiak pas gazit lojtsellës të Forcave Speciale

Një punonjës i policisë Bashkiake ka humbur ndjenjat pas përplasjeve në Kamëz. Prej më shumë se një ore, situata përpara KZAZ-së që ndodhet në shkollën Ibrahim Rugova është e tensionuar. Policia ka përdorur gaz për të shpërndarë qytetarët, të cilët kanë ndjerë shqetësime.

Protestuesit i kanë ardhur në ndihmë policit që ishte shtrirë pa ndjenja në rrugë, ndërsa më pas është dërguar me urgjencë drejt spitalit.

Dhjetra qytetarë u grumbulluan sot përpara gjimnazit Ibrahim Rrugova, duke kërkuar zbatimin e dekretit të presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Mësohet se rreth orës 10: 20, protestuesit hapën derën e shkollës ku ndodhet KZAZ nr 27. Policia ndërhyri duke hedhur spraj kundër protestuesve, të cilët dyshojnë se bëhet fjalë për gazlotsjellës.

Nga spraji janë lënduar edhe policë edhe protestues.

 

 

Përplasjet në Kavajë

Pas tensioneve në Shkodër dhe Tropojë, mëngjesin e sotëm përplasje ka patur dhe në Kavajë, ku protestuesit janë mbledhur pranë KZAZ-ve, duke kërkuar lirimin e ambienteve.

Nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, Hysen Kadiu, i ka dhënë ultimatum policisë që deri në orën 16:00 të lirojë ambientet e KZAZ-ve.

“Ju lëmë afat deri në orën 16:00. Nëse i mbroni dot, hallall ju qoftë”, ka thënë ai.

kujtojmë se ditën e djeshme ka patur tensione në disa KZAZ në Shkodër dhe Tropojë, ku disa persona kanë dëmtuar materialet zgjedhore. Për ngjarjen, policia ka ndaluar disa persona, mes të cilëve edhe policë bashkiakë si dhe një punonjës tjetër i bashkisë së Shkodrës.

Arrestime në Tropojë

Pas incidentit të djeshëm në KZAZ-në e Tropojës, ku u dëmtuan materialet zgjedhore, policia ka arrestuar 7 persona.

Të arrestuarit janë mbështetës të opozitës, të cilët akuzohen për kundërshtim të punonjësve të policisë, dëmtim të materialit zgjedhor, si dhe organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme. Ndëkohë, pesë persona po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Mes të arrestuarve ka edhe punonjës të bashkisë, konkretisht punonjës të shërbimeve publike të sektorit të pastrim gjelbërimit në bashkinë Tropojë.

Dhuna në Shkodër, përfaqësuesit e OSBE-së në terren

Protestues nga opozita u grumbulluan mbrëmjen e kaluar pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku ndodhen materialet zgjedhore për qarkun të dorëzuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Punonjës të Policisë Bashkiake të Shkodrës, të mbështetur nga simpatizantë të Partisë Demokratike dhe ish-deputeti Bardh Spahia janë përplasur me efektivët e policisë që ruanin derën e KZAZ nr. 3 dhe me forcë kanë hyrë në ambientet e brendshme. Protestuesit kanë thyer xhamat e shkollës dhe kanë tentuar t’i vënë flakën.

Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim disa të tjerë.

Pas përplasjeve në KZAZ-në në Shkodër, policia ka shpallur në kërkim edhe ish-deputetin e Partisë Demokratike Bardh Spahia.

Ky i fundit, përmed një deklarate për mediat, u distancua nga dhuna duke thënë se prezenca e tij dhe kolegëve në Shkodër ka për qëllim ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e përplasjeve të mundshme mes qytetarëve dhe policisë së shtetit. 

Sot në Shkodër, kanë mbërritur përfaqësuesit e OSBE-së për të monitoruar situatën në KZAZ-në Nr 3./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *