Ministri i Brendshëm, Lleshaj, tha se policia do kundërpërgjigjet me vendosmëri ndaj provokimeve dhe sulmit ndërsa paralajmëroi shkrirjen e disa policisë bashkiake në qytete të ndryshme të vendit.
Ai theksoi se punonjësit e policisë bashkiake po keqpërdoren ndërsa paralajmëroi masa të ashpra ndaj kujtdo që shkel ligjin.
‘Policia e Shtetit, po provokohet e po sulmohet në mënyrë të organizuar por po përgjigjet dhe do përgjigjet proporcionalisht me vendosmëri deri në fund. Qeveria do marrë masa të shkrijë disa struktura të Policia Bashkiake që kanë dalë haptazi jashtë funksionit të tyre. Askush nuk do tolorehet, mund të jetë pak po e sigurtë. Punonjës të policisë bashkiake po gabojnë rëndë, duke u përdorur si mish për top nga udhëheqësit dritshkurtër. U bëj thirrje punonjësve të mos marrin përsipër vepra të rënda, duke kryer krime, për llogari të atyre që duan të bllokojnë rrugën evropiane. Qeveria do marrë masa të menjëhershme të shkrijë disa struktura të Policisë Bashkiake, që janë shndërruar në një rrezik publik. Askush nuk do të tolerohet. E gjithë kjo shfaqje e turpshme nuk do të cenojë aspak rendin në vend.’ – tha Lleshaj.
Më tej ai u bëri thirrje prokurorëve dhe gjykatësve që të zbatojnë ligjin në qytetet ku ka pasur përplasje mes policisë dhe qytetarëve.
‘U bëj apel prokurorëve dhe gjykatësve të territoreve ku po shkelet ligji, të zbatojnë ligjin. Policia do ndalojë dhe do arrestojë çdo shkelës. S’ka asnjë dyshim se një pakicë njerëzish nuk do të imponojnë asgjë.’ – shtoi ministri.