Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u paraqit sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për nisjen e procesit gjyqësor ndaj tij.
Në një dalje për mediat pasi doli nga gjykata, Tahiri e konsideroi veten si ministrin më të mirë në historinë e pluralizmit. Tahiri zbuloi se seanca ishte shtyrë, ndërsa e konsideroi procesin të montuar politikisht.
“Duhet të ndodhë me këdo që të mos ketë vonesa në asnjë proces gjyqësor. Këtë kërkova që procesi të shkojë përpara.
Të kërkosh gjykim të shkurtuar nuk do të thotë të pranosh fajësinë. Ju e dini, më vjen keq që jeni në kufijtë e abuzimit.
Nuk është momenti të bëj politikë këtu.
Jam ministri më jetëgjatë dhe më i miri në historinë e pluralizmit.
Ti flet më shumë se sa ai që duhet të përgjigjet. E kam boll një gjyq politik nuk kam nevojë të bëj politikë këtu jashtë.
Mendova dhe mendoj se nuk ka nevojë të zvarritet ky gjyq. Kam arsye të besoj se ka shumë të cilët janë të interesuar që kjo situatë të vazhdojë kjo, unë të zvarritem në procese gjyqësore dhe nuk janë të interesuar për drejtësi. Unë jam i vetmi i interesuar për drejtësi.
I kërkova gjykatës që mundësisht t’i bëj seancat ditë për ditë. Ka dy vjet që zvarritet kjo histori.
Unë jam hetuar personalisht në Itali dhe prokuroria e antimafias në Itali dhe gjykatat e dhanë verdiktin e tyre dhe thanë që Saimir Tahiri nuk ka pikën e lidhjes me këtë histori. Ajo karroca është vetëm materialet e Italisë.”, tha ministri Tahiri.
Kujtojmë se mbi ish-ministrin Tahiri, rëndojnë akuzat për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Ai dyshohet se ka favorizuar grupin kriminal të Habilajve në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Të pandehur për të njëjtën çështje janë edhe 3 ish-zyrtarët e lartë të policisë, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.
Hetimet ndaj Tahirit janë mbyllur më 28 shkurt, kohë në të cilën dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me seancën e parë që është parashikuar për më 19 qershor.