Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar në mesnatë, pas arrestimit live të ish-deputetit Bardh Spahia. Duke iu referuar Taulant Ballës, Basha thotë se kriminelët i shesin mend popullit nëpër studio televizive, ndërkohë Spahia që protestoi kundër tyre u arrestua.
“Kriminelët e zgjedhjeve po i shesin moral popullit në studiot televizive. Bardh Spahia arrestohet pse protestoi kundër krimeve të tyre.
Ne nuk do të ndalemi derisa ta shporrim këtë bandë dhe kreun e saj!”, shkruan kryedemokrati..
Ish-deputeti Bardh Spahia u arrestua lidhur me djegien e KZAZ-së Nr 3 në Shkodër, ndërsa po shkonte në studiot e “Top Channel” pasi e sfidoi Taulant Balla.
Në studion e emisionit “Open”, mbrëmë ishte i ftuar Taulant Balla, e cili e sfidoi ish-deputetin gjatë një lidhjeje live duke thënë se fshihej në selinë e PD-së kështu ta provonte të dilte. Eni Vasili pas fjalëve të Ballës, e ftoi ish-deputetin në studio dhe ai pranoi, por shtoi se ky ishte një kërcënim live nga ana e Ballës, që ta arrestonin. Në lidhjen live me studion , Spahia tha se nuk i ishte komunikuar nga autoritetet se ishte në kërkim.
Shoqërimi i Spahisë u krye pranë zonës së 21-shit në Tiranë, teksa ai ishte duke udhëtuar drejt studios së emisionit në Kashar. E gjithë skena u filmua nga kamerat. Sipas tij, e gjithë kjo po bëhet për të tërhequr vëmendjen nga audiopërgjimet e reja të gazetës gjermane “Bild”.