Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Bashkive: Policia e Rendit kundër asaj Bashkiake, thellim i grushtit të shtetit


Shoqata e Bashkive ka reaguar lidhur me përplasjet e djeshme në KZAZ-të në të gjithë vendin. Përmes një njoftimi për mediat, kjo shoqatë dënon dhunën që është ushtruar ndaj policisë bashkiake nga forcat e rendit.

Shoqata i vë gishtin ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, duke e akuzuar se synon një konflikt institucional me qeverisjen vendore, pas njoftimit për shkrirjen e Policive Bashkiake.

Në fund Shoqata e Bashkive i bën thirrje kryeministrit Edi Rama, të ndalë agresionin qeveritar dhe policor mbi strukturat bashkiake, si dhe të urdhërojë ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve të bashkive.

REAGIMI

Ky akt i paprecedentë është thellim i grushtit të shtetit nga Qeveria dhe një tentativë e qartë antikushtetuese për të uzurpuar kompetencat e Bashkive. Mbi këtë akt do të njoftohen nga ana jonë, në mënyrë të menjëhershme, të gjitha organizatat ndërkombëtare, që sigurojnë autonominë vendore, brenda dhe jashtë vendit.

Në shkelje të ligjit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me njoftimin për shkrirjen e Policive Bashkiake, synon një tjetër konflikt institucional, kësaj here me qeverisjen vendore.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë gjen rastin t’i kujtojë Ministrit Lleshaj se në demokraci, institucionet autonome dhe të pavarura, nuk marrin urdhra nga Qeveria.

Vendimi i njoftuar prej tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe, për pasojë, nuk do të njihet dhe nuk do të zbatohet nga Bashkitë. Ndërhyrja brutale e Qeverisë ndaj autonomisë vendore është e papranueshme dhe e paprecedentë. Nxitja e konfliktit midis Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit është, gjithashtu, një veprim kriminal i papranueshëm.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë do të bëjë gjithçka për të garantuar që qytetarët të mos bien pre e provokimeve të Qeverisë, që synojnë dhe nxisin konflikt social dhe cënojnë destabilitetin demokratik të vendit.

Policët bashkiakë janë në detyrë dhe të vendosur të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre sipas ligjit.

Në përfundim, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama, të ndalë menjëherë agresionin qeveritar dhe policor mbi strukturat bashkiake, si dhe të urdhërojë ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve të bashkive tona, të cilët janë të vendosur të mbrojnë Kushtetutën dhe demokracinë.

Asnjë terror dhe dhunë policore nuk mund të pengojë Kryetarët e Bashkive të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *