Vendosni fjalën kyçe....

Thaçi shkarkon këshilltarin serb, dyshohet si agjent i Shërbimeve Sekrete Serbe


Presidenti i Kosovës, Thaçi, ka shkarkuar nga detyra këshilltarin e tij serb, Branislav Nikolic, rapoton Gazeta Express.

Shkarkimi i tij vjen pas raportimit të televizionit ‘T7’, sipas të cilit Nikoliç kishte qenë pjesë e shërbimit të Inteligjencës së Serbisë (BIA). Nikolic ka punuar si këshilltar i presidentit Hashim Thaçi që nga viti 2016.

Në njoftimin për shkarkimin e tij, zyra e Thaçit thonë se nuk kanë pasur informacione paraprake lidhur me zyrtarin që ka këshilluar presidentin për tre vite rresht.

‘Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media.’ – thuhet në reagimin e zyrës së Thaçit.

Reagimi i plotë i zyrës së Thaçit

‘Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media.

Përkundër kësaj, Zyra e Presidentit i merr seriozisht raportimet e mediave për përfshirjen e mundshme z. Nikolic në aktivitete të dyshimta, qofshin ato të natyrës kriminale ose që cenojnë sigurinë kombëtare.

Nisur nga parimi i respektimit të ligjit dhe për t’i dhënë hapësirë autoriteteve të sigurisë që të kryejnë hetime të pavarura për këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, ka liruar sot nga detyra e Këshilltarit Politik, z. Branislav Nikolic​.

Presidenti Thaçi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshqiptare dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e qeverisë qendrore dhe lokale, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rasti konkret është thjesht çështje e sundimit të rendit dhe ligjit.’


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *