Vendosni fjalën kyçe....

Dështon Samiti në Bruksel, udhëheqësit e BE-së s’bien dakord për kandidatët që do zëvendësojnë Juncker dhe Tusk


Samiti i 28 udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku ishte planifikuar të finalizoheshin kandidatët për disa prej posteve më të rëndësishme të unionit, ka vazhduar që në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Mirëpo siç shkruan “BBC“, takimi ka përfunduar pa një marrëveshje mbi atë se kush duhet të marrë përsipër punët e larta të bllokut.

Në përpjekje për të gjetur shumicën për pasuesit, krerët e BE-së gjithashtu po përpiqeshin të vendosnin se cilat çështjeve BE duhet t’u japë përparësi gjatë pesë viteve të ardhshme.

Një tjetër samit do të mbahet më 30 qershor – vetëm dy ditë përpara një takimi të rëndësishëm të Parlamentit Europian.

Të gjitha vendet udhëheqëse të bllokut po ndryshojnë kah këtë vit, pas zgjedhjeve në mbarë Evropën në maj. Tensionet kanë nisur për pasardhësit për rolet kyçe.

Cilat role duhet të vendosen?

Pas përfundimit të samitit të së enjtes që vazhdoi deri orët e para të mëngjesit të sotëm, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk konfirmoi se një samit i ri ishte i nevojshëm.

Roli më i fuqishëm për të cilin po vendoset është pikërisht ai i Presidentit të Komisionit të BE-së – një rol i mbajtur nga ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker që nga viti 2014.

Komisioni Evropian harton ligjet e BE-së, mbikëqyr buxhetet kombëtare, zbaton traktatet e BE-së dhe negocion marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë.

“Pashë me argëtim se nuk është e lehtë për të më zëvendësuar mua”, u tha Juncker gazetarëve në një konferencë shtypi herët të premten.

Përveç zëvendësimit të Juncker dhe Tusk, liderët e BE-së duhet të vendosin gjithashtu për një president të ri të Bankës Qendrore Europiane dhe një përfaqësues të lartë për politikën e jashtme.

Të nominuarit kërkojnë mbështetjen e të paktën 21 nga 28 udhëheqësve të BE-së dhe një shumicë në Parlamentin Europian – i cili do të mblidhet më 2 korrik.

Zgjedhjet për vendet më të larta të BE-së duhet të marrin parasysh zgjedhjet evropiane të muajit të kaluar dhe të arrijnë një ekuilibër të pranueshëm për shtetet e mëdha dhe të vogla, gjininë dhe gjeografinë.

Zgjedhjet prodhuan më shumë copëzim politik, pas rritjes së numrit të deputetëve të Gjelbër dhe liberalëve.

Parlamenti europian thotë se presidenti duhet të vijë nga partia me shumicën e vendeve – gjë që nënkupton Manfred Weber, gjermanin në Partinë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë (EPP).

Rivalët e fuqishëm potencial për Weber janë veterani i BE-së Frans Timmermans (holandez, nga blloku socialist i qendrës së majtë) dhe komisionerja daneze e BE-së Margrethe Vestager, një liberale.

Por presidenti francez Emmanuel Macron favorizon Michel Barnier, njeriun i cili ka qenë përgjegjës për negociatat për Brexit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *