Greenpeace ( Organizata Ndërkombëtare për mbrojtjen e Ambientit) ka akuzuar ministrin britanik Mark Field, se ka ushtruar dhunë ndaj një aktivisteje.
Gjatë një aktiviteti të së enjtes mbrëma, protestuesit e ndryshimeve klimatike ndërprenë fillimin e fjalimit vjetor të Philip Hammond për gjendjen e ekonomisë në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan “BBC“.
Dhjetra aktivistë të veshur me të kuqe pushtuan sallën dhe refuzuan të largoheshin.
Videoja tregon ministrin e Shtetit për Azinë dhe Paqësorin, Mark Field duke u ngritur nga karrigia e tij dhe duke ndaluar një protestuese femër. Ai e shtyn atë drejt një kolone dhe pastaj mundohet ta nxjerrë jashtë sallës.
Pas incidentit, Field deklaroi se ai reagoi “instinktivisht” dhe ishte vetëreferuar në Zyrën e Kabinetit për një hetim.
Ai gjithashtu kërkoi falje që e kapi gruan me forcë për krahësh për ta larguar, por shtoi se e bëri këtë nga shqetësimi se ajo mund të ishte e armatosur.
Deputeti konservator është kritikuar gjerësisht, por disa njerëz e kanë mbrojtur për veprimet e tij.