Jorida Tabaku u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në protestën e sotme të thirrur nga opozita e bashkuar.
Në një status në llogarinë e saj në ‘Facebook’, ajo shkruan se sekti i gangsterëve duhet rrëzuar njëherë e mirë. Tabaku thekson se vendi ka rënë në autoritarizëm dhe jep 4 argumente kryesore për tiparet e tij.
Deputetja përmend aparatin e represionit, qarkullimi i parasë, miratimi i ligjeve me emër biznesi si dhe kontrolli i narrativës dhe propagandës.
‘Ramizmi është Putinizëm.
Në konceptin modern, autoritarizmi është sundimi i pakicës në emër të shumicës.
Një qeverisje e tillë është bjerrja e vazhdueshme të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha mungesa e limiteve të pushtetit që qeveria ka ndaj njerëzve, ekonomisë së tregut, pronës dhe gjithçkaje tjetër që qytetarët zotërojnë.
Nën këtë perspektivë, autoritarizmi modern shtrihet që nga Rusia e Presidentit Putin deri tek qeverisja e Kinës nga Partia Komuniste Kineze në ditët e sotme. Ai karakterizohet nga katër tipare kryesore.
I pari: Një aparat i madh represioni. Qeverisjet autoritare dhe kryeministrat autoritarë e kanë të domosdoshëm një aparat represiv me të cilin të kërcënojnë jetët e qytetarëve.
Përgjithësisht këto mjete të represionit qeveritar janë të bazuara në parimin që mos të jenë efiçente në sensin e zbatimit të ligjit dhe mbarëvajtjes së shtetit ligjor por të jenë të domosdoshme dhe efektive për të ndëshkuar këdo që del kundër qeverisë si dhe perceptimit që kjo e fundit ka për veten dhe mënyrën e ushtrimit të autoritetit prej saj.
Në rastin e Shqipërisë policia e shtetit është kthyer në një mjet represiv që qeveria apo më saktë Kryeministri ka vendosur në shërbimin e tij thuajse personal. Skenat e dhunës që u panë në qytetin e Shkodrës dje si dhe skenat e dhunës që janë parë për 8 protesta me radhë nga policia politike drejtuar me komisarë politikë janë shembuj konkretë. Një tjetër element i aparatit represiv që ka ndërtuar kyrministri është ai i bandave kriminale të atashuara me shtetin dhe qeverisjen. Këto të fundit jo vetëm që janë shpesh në rivalitet me njëra-tjetrën por ato shërbejnë si forma presioni karshi qytetarëve sidomos pranë ditës së votimit. Përgjimet e publikuara nga BILD dëshmojnë se si këto dy instrumente represioni të lidhura ngushtësisht me kryeministrin Rama përdoren efektivisht për të dhunuar votuesin e opozitës, kërcënuar votuesit e tjerë dhe për të blerë votuesin nevojtar apo të e pavendosur. Sakaq disa banda, si në qytetin e Durrësit, kanë edhe tagrin të përzgjedhin kandidatin apo kandidatët.
Një tjetër element i rëndësishëm për krijimin e një qeverie autoritariste është domosdoshmëria e mbajtjes së parasë në qarkullim (high cash-floë model). Qeveritë e ndotura nga bashkëpunimi me krimin nuk mund të ndërtojnë modele ekonomike dhe as modele zhvillimi ekonomik në shërbim të popullsisë. Njësoj si firmat piramidale apo skemat Ponzi, këto qeverisje kanë synimin për të pasur përherë likuditet me të cilin të manipulojnë apo mashtrojnë sponsorizuesit e tyre si dhe një pjesë të popullatës. Duke pasur këtë në mendje kryeministri Rama përdori çdo burim ekonomik të vendit për të prodhuar një sistem ekonomik kriminal. Ai lejoi mbjelljen e territorit të vendit me kanabis, i dha mundësi bandave të zgjeronin aktivitetin e tyre kriminal (pra aparatit represiv të mbijetonte) dhe njëkohësisht rriti borxhin publik. Nga ana tjetër ai për të siguruar mbështetjen e bizneseve të fuqishme, dmth atyre që më pas u kthyen në oligarkët e tij, u siguroi atyre kontrata të majme nga buxheti i shtetit. Për këtë të fundit u sigurua që të furnizohej nga kreditë e marra nga FMN apo nga eurobondet e lëshuara në treg me norma interesi jo eficente.
Duke qenë se një qeveri autoritare nuk është e tillë derisa nuk kontrollon mundësinë për të jetuar apo mobilitetin social të qytetarëve të saj, atëherë kryeministri Rama vuri në jetë planin e kontrollit të mundësive të qytetarëve. Mënyra më e mirë për të implementuar këtë pikë është ajo e kontrollit të Tregut të Lirë dhe Ekonomisë së Tregut.
Miratimi i ligjeve me emër biznesi, krijimi i një klime ligjore dhe fiskale që promovon vetëm oligarkët, zhdukja e konkurrencës përmes ligjeve të veçanta dhe përqëndrimi i ekonomisë në koncesionet e qeverisë. Ka krijuar basat e sigurta mbi të cilat po ndërtohet ekonomia e oligopoleve dhe karteleve, një ekonomi e përkryer për të mbajtur në këmbë një regjim autoritar. Një ekonomi, që siç e pamë në rastin e përgjimeve të publikuara nga BILD, ka trajtën e një piramide me kuazi-biznesmenë që koordinojnë me krimin dhe politikën për blerjen sa më efektive të votës, të mbështetur nga një prapavijë pseudo-biznesmenësh që pastrojnë paratë e krimit dhe që kulmon me babushët mega-biznesmenë që presin, që pas gjithë shërbimeve publike të akaparuara në trajtën e karteleve ineficente, të ndajnë thelat qyl të tenderave të ndotur të qeverisë me peshkaqenët e pangopur të krimit dhe politikanët e bërë tej e tej pis prej tij.
E fundit, por jo për nga rëndësia, një qeverisje autoritare aplikon parimin e kontrollit të narrativës si dhe propagandës. Siç edhe është e qartë, kjo mazhorancë dhe ky kryeministër kanë aplikuar prodhimin e narrativës së gënjeshtërt duke mohuar çdo akuzë dhe çdo fakt që lexohet qartësisht nga çdo qytetar i vendit. Sot për sot kryeministri dhe shpura e tij po argumentojnë se vendi nuk ndodhet në krizë, se opozita ka frikë nga reforma në drejtësi edhe pse përditë po zbulohen jo vetëm afera korruptive të blerjes së votës, por afera që lidhin eksponentë të qeverisë dhe mazhorancës me mafiozë të kalibrit të lartë. Narrativa e këtij rregjimi gangsterësh përpiqet të mbulojë me shoshë diellin e shtetit mafioz që djeg dhe përcëllon indin dhe cipën e moralit të shqiptarëve.
Në kushtet e një regjimi të tillë, opozita shqiptare ka pasur dhe ka gjithë të drejtën që të protestojë dhe të djegë mandatet. Në të tilla kushte shqiptarët kanë shumë vjet që jetojnë, duke u shtypur përditë e nga pak dhe duke u gënjyer nga shtypësit e tyre se po “bëhet shtet”. Shqiptarët e varfër prangosen dhe kalben burgjeve ndërsa kriminelët e vërtetë bashkëqeversin dhe flenë në shtratin e pushtetit me kryeministrin, ministrat, ish ministrat dhe deputetët.
Policët e shkretë u hidhen mish për top kriminelëve ndërsa komisarët politikë gjezdisin të pashqetësuar duke u ngritur në detyrë. Të fortët shqetësohen për kostumet që kanë veshur kur takojnë kokat e mëdha në “zyrat e rëndësishme” ndërsa shqiptarët nuk kanë me çfarë të shtyjnë ditën. Kryebashkiakët dalin si akullore nga prokuroria ndërsa qytetarët kalben burgjeve me akuza politike. Oligarkët kënaqen me tenderat dhe mbrojtjen e shtetit represiv ndërsa shqiptarët rropaten përditë e më shumë duke u skllavëruar e trajtuar pa dinjitet.
Kundër kësaj kaste dhe establishmenti opozita ka ngritur zërin që në shtator 2013. Kundër këtij sistemi gangsterësh dhe kryeministri autoritar opozita ka refuzuar të jetë thjesht një fasadë. Pasi provoi çdo mjet brenda kufijve të demokracisë parlamentare, opozita refuzoi të jetë fasada e shtetit gangsterr. Ne vendosëm të zbresim në shesh bashkë me qytetarët për të ecur së bashku në këtë betejë kundër autoritarizmit.
Sot ju ftojmë të gjithëve në protestën për të rrëzuar një herë e mirë këtë sekt gangsterësh që pretendon se qeveris në emër të një shumice inekzistente. Ju ftojmë të luftojmë në emër të paqes, demokracisë dhe barazisë përpara ligjit, barazisë përpara mundësive që na ofrohen në jetë, barazisë përpara drejtësisë së munguar dhe keqtrajtuar.’ – shkruan Tabaku në ‘Facebook’.