Një deklaratë e papritur u bë dje nga studiot e “Top Channel” nga deputeti socialist Ervin Bushati.
Në studion e “Top Talk” të Denis Dyrnjasë, Bushati deklaroi se është koha për Erion Veliajn kryeministër.
Teza se Erion Veliaj mund të jetë pasuesi i Edi Ramës nuk është e padëgjuar në tavolina debati, tek-tuk edhe e nënkuptuar në studio televizive por deklarata e Bushatit vjen pikërisht në një moment delikat për Edi Ramën.
Rama me kokëfortësi kërkon të realizojë zgjedhjet vendore edhe pse presidenti Meta e ka zhdekretuar datën, ndërsa vendi vazhdon të jetë i përfshirë nga protestat, që motiv të shtuar së fundmi kanë edhe përgjimet për shitblerjen e dyshuar të votave nga socialistët në Dibër.
Në këtë kontekst, është ende e paqartë nëse vendi do të shkojë realisht drejt zgjedhjeve vendore, ku Veliaj ishte projektuar për kryebashkiak i Tiranës, apo do të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme.
A është kjo deklaratë e Bushatit zëdhënëse e reagimit të një grupi brenda PS-së që kërkon vërtet zëvendësimin e Ramës me Veliajn, papjekuri e tij apo është një diversion i Edi Ramës?!
“Top Channel” e fshiu artikullin e kësaj deklarate . Veliaj vazhdon të bëjë fushatë për Bashkinë e Tiranës./Hashtag.al