Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se nuk ka dalje nga kriza politike në Shqipëri “pa u ndëshkuar personat që kanë kapur shtetin me krim të organizuar dhe korrupsion” dhe se ky është kushti i panegociueshëm i opozitës.
Këtë deklaratë Basha e bëri një një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Basha ripërsëriti se zgjedhje më 30 qershor nuk mund dhe nuk do të ketë me një parti të vetme ndërsa ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog të brendshëm politik e konsideroi vetëm si “hedhje hi syve” të qytetarëve.
“Për ne është fare e qartë, 30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Votime ka edhe në Korenë e Veriut, për liri dhe demokraci flet dhe Maduro i Venezuelës, por këto nuk janë standarte europiane. Çfarë zgjedhjesh janë ato kur ke vetëm një kandidat. Kjo na kthen pas në kohën e sundimit të diktaturës së Enever Hoxhës. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor.“, deklaroi Basha.
Intervista e plotë e kreut të PD-së:
Radio Europa e Lirë: Zoti Basha, Shqipëria ndodhet në një ngërç politik. Cili është vizioni dhe kompromisi juaj për daljen nga kjo krizë?
Lulzim Basha: Kriza politike ka 3 dimensione. Ka kapjen e të gjitha pushteteve në një dorë, pra, autokracinë. Të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu, qeveria, parlamenti, drejtësia, mediat janë të kapura nga i njëjti pushtet. Ekonomia është monopolizuar dhe është në duar të këtij pushteti. Publikimet më të fundit të gazetës prestigjioze gjermane Bild, tregojnë se jo vetëm kemi kapjen e shtetit nga krimi, por kemi shkrirjen në një të partisë në pushtet, qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Zgjidhja e kësaj krize politike nuk mund të kalojë thjesht nëpërmjet një marrëveshjeje të rëndomtë politike me një pazar mes palësh. Nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj krize pa drejtësi dhe pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe kriminelëve që, së bashku, kanë asgjesuar procesin politik, kanë vjedhur zgjedhjet, kanë devijuar vullnetin popullor dhe kanë prodhuar themelet e kësaj krize – një parlament ilegjitim, një qeveri ilegjiime, të dalë jo nga vota e qytetarëve, por nga diktati i krimit të organizuar, me paratë e drogës dhe të krimit dhe që, si rezultat, vazhdon të mbetet peng i interesave kriminale dhe private, në vend që t’i shërbejë interesave publike.
Radio Europa e Lirë: pse mendoni se bojkotimi i zgjedhjeve, por edhe bojkotimi i mandateve në Kuvend është zgjidhja e duhur për Shqipërinë?
Lulzim Basha: Ne përfunduam së qeni një fasadë e një Kuvendi tashmë të faktuar si produkt i diktatit të krimit. Provuam për afro dy vite, që brenda këtij Kuvendi të bënim reformat e duhura për të shkatërruar këtë lidhje midis politikës dhe krimit, këtë shkrirje në një të pushteti me krimin. E nisëm me komisione hetimore parlamentare për rolin e politikanëve kryesorë në vend në kthimin e Shqipërisë në një bazë të krimit e të drogës dhe komisionet, së pari u refuzuan, pastaj u sabotuan, ndonëse Kushtetuta e thotë qartë se është e drejta e opozitës të ketë hetime të tilla parlamentare. Ne vumë re që, përmes kapjes së prokurorisë, pushteti, qeveria arriti jo thjesht t’i ngadalësonte, por, praktikisht, t’i stoponte investigimet, hetimet e dosjes 339/1 dhe dosjes 184, që janë vjedhja e zgjedhjeve në Dibër dhe vjedhja e zgjedhjeve 2017 nga funksionarët më të lartë të PS në bashkëpunim me krimin. Vendimi ynë, padyshim, i paprecedentë, u zbulua të ishte vendimi i vërtetë, sepse tashmë gjithë bota e ka parë se parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare nuk janë produkt i votës së popullit, por janë produkt i shkrirjes në një të qeverisë, partisë në pushtet dhe krimit të organizuar.
Radio Europa e Lirë: Bashkësia ndërkombëtare në Shqipëri ka kërkuar që kjo krizë të zgjidhet me dialog. Po ashtu, kryeministri Edi Rama ka ftuar për dialog. Cila është përgjigja juaj ndaj një ftese të tillë?
Lulzim Basha: Ftesat për dialog që bëhen sa për sy e faqe apo akoma më keq, për propagandë nuk jane ftesa por janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerezve. Në krizën aktuale në Shqipëri është qartë se shkaktari kryesor është zoti Rama, i cili, për pushtetin e tij ka lidhur një pakt me krimin, çka faktohet edhe nga këto dosje hetimore, 339, 184. Disa gjëra dalin qartë nga këto dosje hetimore, megjithëse pak minuta janë zbardhur. E para, që në Shqipëri zgjedhjet janë vjedhur në të gjithë territorin. Nga Durrësi në Dibër, nga Shkodra në Lezhë e kudo, rrjetet kriminale janë bashkuar me PS për të vjedhur zgjedhjet. Së dyti që vjedhja e zgjedhjeve është bërë me të gjitha metodat, me blerjen e votave, me mbledhjen e kartave të identitetit, me ndalimin e votuesve të opozitës për të shkuar për të votuar, me frikësimin e tyre, me presionin ndaj administratës publike, me përdorimin e Policisë së Shtetit. Pra, janë përdorur të gjitha metodat për të vjedhur dhe manipuluar zgjedhjet. Së treti, që në këtë proces ka qenë e përfshirë e gjithë kupola shtetërore, e gjithë administrata shtetërore, pra, nga kryeministri tek ministrat, tek deputetët, tek zëvendësministrat përsa i përkët kupolës politike, nga drejtorët e administratës, drejtorët e policisë, tek polici i thjeshtë, tek mësuesi i thjeshtë, që kërcënoheshin me bukën e gojës, nëse nuk shërbenin si kamikazë politikë, si militantë, për të vjedhur apo për të marrë e për të blerë vota per partinë në pushtet. Së katërti, është e qartë se në këtë ndërmarrje janë mobilizuar të gjithë kriminelët e Shqipërisë, nga bosët e krimit ë organziuar nga imerlalët, bajrët, shullazët me shokë deri tek kriminelët më të rëndomtë janë bërë njësh në këtë përpjekje të PS për të marrë pushtetin nëpërmjet shitblerjes së votës, intimidimit të votuesve dhe përdorimit të resurseve shtetërore. Pra, ajo që ne mësuam nga Bild-i, radiografia që Bild-i i bëri procesit zgjedhor në Shqipëri, është që nuk kemi të bëjmë më thjesht me një shtet të kapur nga krimi, kemi të bëjmë me një shtet të shkrirë në një me krimin e organizuar. Ndaj, asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, qofshin kriminelë të rrugës apo politikanë të bërë njësh me krimin. Ky është një kusht i panegociueshëm, jo thjesht për opozitën, po në qoftë se nuk arrijmë këtë, nga kjo krizë do të shkojmë në një krizë tjetër akoma më të thellë.
Radio Europa e Lirë: Zoti Basha, megjithatë, edhe pse presidenti i vendit e anuloi realisht datën e zgjedhjeve, partia Socialiste instiston se do t’i mbajë zgjedhjet. Cili do të jetë reagimi i Partisë Demokratike?
Lulzim Basha: Për ne është fare e qartë, 30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Votime ka edhe në Korenë e Veriut, për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës. Procese farsë mban edhe Berdinmuhamedovi i Turkmenistanit. Po këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Nuk mund të ketë zgjedhje me një kandidat. Çfarë zgjedhjeje është ajo, kur ti ke një kandidat? Kjo na kthen pas në kohën e sundimit të diktaturës së Enver Hoxhës. Nuk bëhet fjalë për një proces zgjedhor, nuk ka zgjedhje me 30 qershor, ka një tentativë të një partie të kriminalizuar nga një kupolë njerëzish që e kanë braktisur interesin publik prej kohësh, kanë braktisur edhe interesin e socialistëve të thjeshtë dhe që i shërbejnë vetëm karriges, pushtetit pra dhe pasurimit të tyre dhe për këtë interes, janë në bashkëpunim të ngushtë me një grusht kriminelësh dhe një grusht oligarkësh grabitqarë. Është një kupolë njerëzish që kanë shtënë në dorë gjithçka në këtë vend, pushtetin, pasuritë, buxhetin, drejtësinë, institucionet, mediat dhe duan që, përmes një procesi farsë zgjedhor, të kapin edhe pushtetin lokal, pra të kapin të gjitha pushtetet. Dilema është fare e qartë, zgjidhja është fare e qartë, ose do të pranojmë Shqipërinë e atyre, një grushti njerëzish që kontrollon dhe ka gjithçka, ose do të bëjmë çdo përpjekje për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Dhe kjo e dyta mund dhe do të kalojë vetëm përmes vlerave dhe parimeve perëndimore të demokracisë dhe shtetit të së drejës.
Radio Europa e Lirë: Zoti Basha, si mendoni se do të reflektojë kjo situatë në hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian?
Lulzim Basha: Është e qartë, ka 3 vjet që Shqipërisë i refuzohet hapja e negociatave, sepse nuk përmbush detyrat. Lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar vazhdojnë të mbeten prioritetet kryesore për shtetet anëtare, në të cilat Shqipëria nuk ka bërë hapa përpara, por ka bërë hapa pas. Dëshmi e kësaj është edhe vota e parlamentit hollandez për t’u rikthyer shqiptarëve regjimin e vizave, diçka që ne, me shumë sakrifica arritëm ta hiqnim në vitin 2010. Tani, akoma pa u mbushur 10 vjet nga ky moment, dhjetori i vitit 2010, e mbaj mend shumë mirë, sepse kam qenë ministër i brendshëm, që udhëhiqte procesin e plotësimit të kushteve për heqjen e vizave, një nga vendet anëtare ka vënë në lëvizje mekanizmin për rikthimin e vizave për shqiptarët. Pse? Është e qartë, për shkak të drogës, për shkak të krimit, për shkak të korrupsionit, të bërë njësh me qeverisjen në Shqipëri. Evropa nuk është raciste, Evropa nuk është kundër shqiptarëve, Evropa është kundër drogës. Evropa nuk është kundër qytetarëve, është kundër qeveritarëve të korruptuar. Ndaj, rruga për të hapur negociatat është e qartë dhe e thjeshtë: nuk shkohet në Evropa pa u sjellë si evropianë. Nuk shkohet në Evropë pa respektuar themelet e bashkëjetesës demokratike evropiane, zgjedhje të lira e të ndershme, një standard dhe jo dy standarde në drejtësi, pra ligji i barabartë për të gjithë, fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Këto janë vlerat për të cilat qendron Evropa, këto janë vlerat për të cilat lufton Partia Demokratike, opozita dhe aleanca më e madhe e qytetarëve që vendi ka njohur, do të thoja që prej vitit 1992.
Radio Europa e Lirë: Zoti Basha, faleminderit për kohën.
Lulzim Basha: Faleminderit ju. Kënaqësi!