Vritet shefi i shtabit të ushtrisë etiopiane, gjenerali Seare Mekonnen. Kryeministri Abiy Ahmed tha se ai u qëllua duke u përpjekur për të parandaluar një përpjekje për grusht shteti kundër administratës në rajonin e Amhara të Etiopisë.
“BBC” shkruan se në Amhara, u vra dhe vetë guvernatori rajonal, Ambachew Mekonnen, së bashku me një zyrtar tjetër.
Dhuna etnike ka goditur Amhara dhe rajone të tjera në vitet e fundit. Që nga zgjedhja e tij vitin e kaluar, kryeministri Abiy Ahmed ka lëvizur për t’i dhënë fund shtypjes politike duke liruar të burgosurit politikë, duke hequr ndalimet për partitë politike dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të akuzuar për abuzime me të drejtat e njeriut.
Çfarë dimë për sulmet?
Informacioni është i pakët, me njoftimet se interneti në Etiopi ka rënë, por kryeministri doli në TV për të bërë njoftimin e tij.
Ai tha se shefi i shtabit ishte qëlluar nga “mercenarë”. Zyrtarët rajonalë të Amharës u vranë nga kolegët e tyre gjatë një takimi, shtoi ai.
Partia qeverisëse në Amhara akuzon ish-shefin e sigurisë, i cili u lirua nga burgu pasi Abiy Ahmed erdhi në pushtet, ae është ai që qëndron pas dhunës.
Pse është aq e rëndësishme Amhara?
Amhara është rajoni i dytë më i populluar i vendit dhe i ka dhënë Etiopisë gjuhën e saj shtetërore, amkarisht.
Dhuna midis grupeve etnike Amhara dhe Gumuz la dhjetra njerëz të vdekur muajin e kaluar në Amhara dhe rajonin e saj fqinj, Benishangul Gumuz.
Dhuna etnike, e shkaktuar zakonisht nga konfliktet për tokën, ka zhvendosur gati tre milionë njerëz në Etiopi.
Një çështje tjetër me të cilën kryeministri duhet të luftojë janë trazirat brenda ushtrisë.
Në tetor, ai tha se qindra ushtarë që i kishin shkuar në zyrën e tij për të kërkuar rritje pagash, kishin dashur ta vrisnin.