Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Stamboll, kandidati i Erdogan pranon humbjen


Kandidati i partisë në pushtet në zgjedhjet e përsëritura për Kryetar Bashkie në Stamboll, Binali Yildirim, pranoi humbjen ndaj kandidatit të opozitës, Ekrem Imamoglu.

Votimi i së dielës u mbajt pas anulimit të debatueshëm nga ana e zyrtarëve të zgjedhjeve të fitores së parë historike të zotit Imamoglu në mars, për teknikalitete pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan e kundërshtoi humbjen e kandidatit të tij, raporton Zëri i Amerikës.

Autoritetet e zgjedhjeve i hodhën poshtë pretendimet e partisë AKP të zotit Erdogan për manipulime, por urdhëruan rivotimin me argumentimin se disa nga fletët e votimit ishin të palexueshme. Opozita e dënoi vendimin dhe tha se votimi i së dielës ishte më i rëndësishëm se sa thjesht për të përcaktuar se kush do ta udhëhiqte qytetin.

Në një tregues të rëndësisë së zgjedhjeve, votimi filloi herët dhe me ritme të shpejta në një qytet kur zakonisht banorët votojnë vonë. Pjesëmarrja ishte e lartë.

Vëzhguesit thonë se strategjia e zotit Imamoglu për të shmangur politikën polarizuese dhe premtimi për gjithëpërfshirje, luajtën rol kyç në fitoren e CHP-së.

Edhe të dielën opozita u fokusua tek mesazhi i ndreqjes së demokracisë së dëmtuar të vendit dhe tek varfëria urbane që është zgjeruar që pas recesionit të vitit 2018. Nëse zoti Imamoglu fiton edhe rivotimin e sotshëm, Stambolli shkëputet pas 25 vitesh nga kontrolli i partisë së Presidentit Erdogan.

Partia e presidentit Erdogan e kishte mbajtur kontrollin e Stambollit për 25 vjet.

49-vjeçari Imamoglu fitoi me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit të qeverisë në zgjedhjet lokale të 31 marsit dhe madje mori detyrën e kryetarit të bashkisë së Stambollit për vetëm tre javë.

Pas fitores së parë dhe një zmbrapsjeje të hidhur ndaj kontrollit të Presidentit Erdogan, zoti Imamoglu u fokusua gjatë ripërballjes së ashpër elektorale tek varfëria në qytete, pasi vendi hyri në recension në fund të vitit të kaluar.

“Këtu nuk zgjidhet vetëm kryebashkiaku i Stambollit. Është njëkohësisht dita për të riparuar demokracinë nga dëmi i procesit të paligjshëm që i është imponuar vendit tonë. Kjo është kutia e votimit për ta riparuar atë”, deklaroi zoti Imamoglu.

Kandidati i maxhorancës, 63-vjeçari Binali Yildirim, një ish-kryeministër i vendit dhe ministër i hershëm i transporteve në qeveritë Erdogan, përcolli një mesazh paqtimi në ditën e rivotimeve:

“Mendoj se sot është dita të lëmë mënjanë hatërmbetjet dhe të përqëndrohemi tek e ardhmja. Nëse kam bërë ndonjë gabim, ose nëse jam treguar i padrejtë me rivalët dhe banorët, me apo pa dashje, tani u kërkoj bekimin e tyre. Shpresoj që zgjedhjet t’i shërbejnë të mirës së vendit”, deklaroi Binali Yildirim, kandidati i partisë në pushtet AK.

Vetë Kryeministri Erdogan u shfaq në mbështetje të ish-kryeministrit të tij dhe në vijën e parë të një fushate elektorale për këto zgjedhje të pjesshme lokale që perceptohen si një referendum për politikat e tij dhe si një test për demokracinë e trazuar të Turqisë.

“Do të ishte e dobishme të fillonim një konsolidim të (qeverisë) Ankarasë dhe të Stambollit (bashkisë). Mendoj se votuesit e Stambollit do të japin verdiktin e duhur”, deklaroi Presidenti Erdogan.

Me një popullsi të regjistruar prej 10.56 milionë banorësh, Stambolli përfaqëson 1/5-tën e vendit me popullsi prej 82 milionë banorësh.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *