Vendosni fjalën kyçe....

Përdorimi i Kishës për politikë, reagon Kisha Ortodokse: Fyerje, kjo të mos përsëritet


Kisha Ortodokse ka reaguar pas takimeve të fundit elektorale që janë bërë në Kurjan të Roskovecit, apo në Lekël të Tepelenës. 

Përmes një njoftimi, Kisha Ortodokse ka kërkuar që veprime të tilla të mos kryhen më pasi: “Përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale”.

Në njoftim kërkohet respekt për vendet e shenjta.

Kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, dha një intervistë për ERTV-në në ambientet e kishës së Shën Kollit në Kurjan. Ndërsa kandidati i Tepelenës për Bashkinë, Tërmet Peçit mbajti një takim elektoral brenda ambienteve të një kishe në Lekël, krejt në kundërshtim me ligjin.

DEKLARATA

Ditët e fundit, në dy raste, në kuadrin e fushatës parazgjedhore, ka pasur përdorim të papranueshëm të mjediseve kishtare për qëllime politike. Në Kurjan të Roskovecit, në Mitropolinë e Fierit, është bërë një prezantim kandidati në mjediset e kishës monument kulture të Shën Nikollës dhe në fshatin Lekël të Tepelenës, në Mitropolinë e Gjirokastrës, ka pasur gjithashtu një takim politik parazgjedhor në mjediset e kishës së Profetit Ilia, të dyja pa dijeninë e Mitropolive përkatëse.

Përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale. Çdo kishë orthodhokse, si objekt kulti i komunitetit orthodhoks, është vend i shenjtë adhurimi dhe lutjeje dhe nuk mund të përdoret në asnjë rast për qëllime politike.

Këto veprime janë në kundërshtim me “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” (Ligji nr. 10 057, dt. 22.01.2009). Prandaj, kërkojmë që këto veprime të mos përsëriten dhe që për vendet e shenjta të tregohet respekti që imponon ligji dhe bashkëjetesa fetare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *