Sa do të paguanit për një foto me artistin tuaj të preferuar? Epo mesiguri jo 849 pound, aq sa tarifa që aktori Sylvester Stallone u ka vënë fansave të tij.
Siç shkruan “Metro“, aktori 72-vjeçar do të nisë një tur promovues në Britani të filmit të tij më të ri “Rambo, last blood” dhe hyrja në sallat ku do të bëhet ky event nuk është aspak e lirë.
Gjatë këtij eventi, fansat do të kenë mundësi të ndjekin intervista “live” të aktorit, të hanë tre vakte si dhe të argëtohen me muzikë.
Për këtë gjë kostoja shkon deri në 495 paund personi, por kush dëshiron një foto me aktorin, atëherë pagesa shkon në 849 paund. Megjithatë pasi fansat të bëjnë foton, do të kenë mundësi ta marrin atë me vete bashkë me një kornizë, si dhe një kopje dixhitale për rrjetet sociale.
Pagesa ekstra do të përfshijë edhe vendosjen në radhë, ku Sylvester Stallone do të nënshkruajë foton me një stilolaps ari.