Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka treguar versionin e tij të bisedës që ka bërë me truprojën e kryetarit të opozitës Lulzim Basha.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Lleshaj tha se Garda e Republikës ka detyrë ligjore të marrë masa për sigurinë e kryetarit të opozitës.
Sipas Lleshajt, me protestat e mbajtura ishte parë e nevojshme që t’i përcillte një mesazh Bashës për ta pyetur, nëse e shikonte normale që t’i shtonin forcat e sigurisë.
Por sipas tij nuk kishte asnjë rrezik. Masat ishin shtuar për të gjithë personalitetet që Garda ka në mbrojtje.
BISEDA
Blendi Fevziu: A e keni thirrur ju shoqëruesin e zotit Basha?
Sandër Lleshaj: Ju thashë që Garda e Republikës ka detyrë ligjore. Ligji i Gardës parashikon që Garda ruan fizikisht kryetarin e partisë më të madhe opozitare parlamentare. Dhe ne ende e quajmë zotin Basha kryetarin e partisë opozitare më të madhe parlamentare. Në këtë situatë disi skicofrenike në vend, ku sfidat ndaj rendit publik janë shtuar dukshëm, ku kemi pasur protesta të dhunshme, ku kemi pasur dhunë në protesta, ku në protesta janë plagosur protestues vetë, nga vetë protestuesit…
Blendi Fevziu: Patjetër në çdo protestë ka pasur zgjedhje të tilla..
Sandër Lleshaj: Pra kemi pasur incidente që protestues janë goditur nga protestues të tjerë. Duke qenë se zoti Basha është drejtues i këtyre protestave, është pjesë e tyre fizike, autoritetet e Gardës e kanë çmuar të nevojshme nevojën për të menduar nëse i duhet rritur apo jo niveli i sigurisë.
Blendi Fevziu: Po këtë e gjykon Garda e Republikës?
Sandër Lleshaj: Patjetër.
Blendi Fevziu: Po ju si Ministër i Brendshëm përse e keni thërritur shoqëruesin e Bashës?
Sandër Lleshaj: Po Garda është në varësinë time dhe përgjegjësinë politike për veprimet apo mosveprimet e Gardës i mbaj unë. Dhe unë përpara se Garda të merrte veprime konkrete për shtimin e rojeve të sigurisë, në mënyrë që kjo të mos keqkuptohej, i kam çuar në mënyrë diskrete një pyetje zotit Basha, përmes bodigardit.
Blendi Fevziu: Nuk gjenit dot një mënyrë tjetër zoti Ministër?
Sandër Lleshaj:Kjo është rruga më konfidente e mundshme. Kjo është rrugë krejtësisht normale, për ta pyetur nëse e konsideron normale apo jo? Ai e konsideroi jo normale, kaq.
Blendi Fevziu: I folët ju për një rrezik?
Sandër Lleshaj: Nuk ka patur rrezik. Nuk kemi patur asnjë informacion për rrezik të shtuar.
Blendi Fevziu: Përse mos ta bënte këtë komandanti i Gardës, por duhet ta bëni ju?
Sandër Lleshaj: Komandanti i Gardës nuk komunikon me drejtuesit e një partie politike. I kam përcjellë një mesazh zotit Basha në mënyrë diskrete, që në kushtet e situatës që kemi, mendohet të rrisim nivelin e sigurisë për të gjithë personalitetet që Garda ka në mbrojtje. Edhe kryeministrit i është rritur niveli i sigurisë, edhe për të tjerë, edhe për mua është rritur.
Blendi Fevziu: Po përse duhet ta pyesnit dhe të mos e bënit?
Sandër Lleshaj: Po që të mos keqkuptohej politikisht, sepse gjithçka keqkuptohet nga opozita jonë sot, gjithçka. Çdo vullnet edhe më normali, keqkuptohet, siç u keqkuptua kjo.