Policia kufitare e Rinasit ka sekuestruar 23.250 euro një shtetasi i cili tentoi t’i kalonte në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.
Shuma e parave i është sekuestruar një 55 vjeçari me iniciale H.LL .
Njoftimi i plotë:
Rinas
Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi
Policia Kufitare procedon penalisht një 55 vjeçar. Sekuestrohen 23.250 euro
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Planin e masave për forcimin e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, rreth orës 16.00 është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i transfertave të parave në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë të shtetasit H.LL, 55 vjeç, i cili do të udhëtonte për jashtë vendit, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën këtij shtetasi të fshehura në trup 23.250 euro të padeklaruara në doganën e Rinasit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, materialet do ti kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.