Vendosni fjalën kyçe....

“Do ketë vëllavrasje”, procedohet penalisht ish-kreu i PD-së në Elbasan


Procedohet në gjendje të lirë kreu i PD-së në Elbasan, Aurel Bylykbashi.

Ai u shoqërua në polici një ditë më parë, për shkak të deklaratave të tij në rrjetet sociale si dhe për deklaratën pas takimit të Aleancës me Qytetarin në Mbrojtje të Lirisë dhe Demokracisë në Elbasan, ku shprehej se më 30 qershor mund të kishte edhe “vëllavrasje”.

Veprat penale që rëndojnë mbi Bylykbashin janë “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Kundër Personit, në DVP Elbasan proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, shtetasin A.B., 53 vjeç, banues në Elbasan.

Në media dhe rrjete sociale ai ka bërë thirrje për veprime të dhunshme dhe pengim të procesit të votimit më datë 30 qershor 2019.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Por cila është deklarata që sipas policisë nxit dhunë?  Në tryezën ku u themelua  Aleanca me Qytetarin në Mbrojtje të Lirisë dhe Demokracisë në Elbasan, Bylykbashi paralajmëroi se mund të kishte trazira më 30 qershor, që sipas tij le të kishte mjafton të mos kryhen zgjedhjet.

“Kjo aleancë që krijohet sot por dhe në çdo qytet të Shqipërisë duhet të ketë axhendë të qartë dhe objektiva të qarta. Ne kemi dy evenimente.

Është data 26 kur kryeministri Edi Rama drejtohet në Elbasan për të bërë takimin elektoral të radhës. Ne duhet të jemi të gjithë në Bradashesh dhe ti themi më qartë se kurrë se ky vend nuk të do dhe nuk ka burrë që mund të na kthejë ne nga rruga jonë.

Nga ana tjetër vjen data 30, ka shumë zëra që thonë e parashikojnë Kasandrën. Dmth do të ketë luftë civile, vëllavrasje etj.

Një gjë dua ta them qartësisht dhe prerë. Personalisht me të gjithë miqtë e mi, por jam i bindur që ky është qëndrim i fortë i PD-së dhe aleatëve të saj. Ne nuk do të lejojmë zgjedhje më 30 qershor. Ka vëllavrasje. Ka luftë civile, le të ketë. Patjetër që të ketë. Ne nuk kthehemi mbrapsht sepse ne nuk bëjmë gabimin që bëjnë gjyshërit tanë në 1944 e të ngelemi peng për 40 vite të tjera. Historia të shkruajë më pas dhe të thotë kishin të drejtë këta ose ata. Ne nuk do të merremi me post ngjarjen por me ngjarjen. Nëse demokracia dhe liria rrezikohet dhe do trupat tanë për ta mbrojtur, ne jemi gati. Ky është mesazhi që duhet të përcjellë kjo tryezë, Aleanca me Qytetarin në Mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë. Le ta dëgjojë edhe Tirana.”, shprehej Bylykbashi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *