Shkarkohet nga detyra prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Në seancën dëgjimore, prokurori i Krimeve të Rënda u përball me një sërë problemesh që iu vunë në dukje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gjatë hetimit ndaj Becit janë zbuluar probleme me pasurinë, kryesisht për blerjen e një apartamenti 169 metra katrorë në kryeqytet.
Po ashtu probleme iu gjetën edhe gjatë kontrollit të figurës, përfshi kontaktin e papërshtatshëm me një person të publikuar gjatë debatit publik për komplotin e vrasjes së deputetit Tom Doshi. Kjo çështje, më vonë ka rezultuar një ngjarje e sajuar.
Trupa që ka kryer hetime ndaj prokurorit të Krimeve të Rënda kryesohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pine dhe anëtar Roland Ilian.
Beci tha se i qëndronte shpjegimeve me shkrim mbi pasurinë, por përsa i përket kontaktit të papërshtatshëm me personin e lidhur me komplotin për vrasjen e Tom Doshit, ai kërkoi që kjo të mos merrej në konsideratë.
Prokurori Beci kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).