Vijon përplasja mes Kuvendit dhe presidentit të Republikës Ilir Meta. Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar sot dekretin e presidentit “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Meta e ka kthyer në Kuvend këtë ligj, duke argumentuar edhe arsyet ligjore për marrjen e këtij veprimi.
Ligji u miratua në Kuvend më 8 maj dhe iu dërgua Presidencës për dekretim më 13 maj. Por presidenti vendosi ta kthejë ligjin për shqyrtim. Në tërësi, ligji sipas Metës është pozitiv, por sipas tij, në disa dispozita ka paqartësi që mund të sjellin keqinterpretime.
“Presidenti i Republikës çmon se ligji i paraqitur për shpallje në tërësinë e tij është një akt ligjor pozitiv në drejtim të zhvillimit të shërbimit përmbarimor privat.
Por nga ana tjetër, gjatë shqyrtimit u konstatua se disa dispozita të veçanta të këtij ligji dhe konkretisht: neni 2, pika 2/b; neni 9 pika 1, 2; 12 pika 1; nenet 58-60; neni 59, pika 4, si dhe neni 88, pika 1, 2 paraqesin paqartësi në formulimin e tyre, nuk janë në harmoni me legjislacionin aktual në fuqi, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese të sigurisë juridike, si dhe nismës dhe veprimtarisë së lirë ekonomike“- thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas Metës, këto dispozita duhet të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi në mënyrë që të përmirësohen.
Arsyetimi sipas Presidencës:
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 8 maj 2019 ka miratuar ndër akte të tjera, edhe ligjin nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Me shkresën nr.2052 prot., datë 13.05.2019 të Kuvendit, ky ligj është përcjellë në Institucionin e Presidentit të Republikës, administruar me nr.1365 prot., datë 13.05.2019, për dekretimin dhe shpallje.
Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” me Kushtetutën, me kuadrin ligjor në fuqi që lidhet me fushën e shërbimit përmbarimor gjyqësor, si dhe praktikën parlamentare jo vetëm të miratimit të këtij ligji, por dhe dokumentave parlamentar të analizës dhe vlerësimit të gjendjes së profesioneve të lira në tërësi, strategjisë dhe planit të veprimit, dokumenta këto të hartuar nga grupi ekspertëve të nivelit të lartë dhe të pranuara nga komisioni i posaçëm parlamentar në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Presidenti i Republikës, çmon se, ky ligj i paraqitur për shpallje në tërësinë e tij është një akt ligjor pozitiv në drejtim të zhvillimit të shërbimit përmbarimor privat.
POR, nga ana tjetër gjatë shqyrtimit u konstatua se, disa dispozita të veçanta të këtij ligji dhe konkretish neni 2 pika 2/b, neni 9 pika 1, 2, 12 pika 1, nenet 58 – 60, neni 59 pika 4, si dhe neni 88 pika 1, 2, paraqesin paqartësi në formulimin e tyre; nuk janë në harmoni me legjislacionin aktual në fuqi; shkaqe këto të cilat mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë, apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese të sigurisë juridike, si dhe nismës dhe veprimtarisë së lirë ekonomike.
Bazuar në këto konstatime, Presidenti i Republikës, vlerëson se është momenti që këto dispozita të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi me qëllim qartësimin e përmirësimin e tyre.
Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e dispozitave të sipërpëmendura në ligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, mbështetur në gjetjet kryesore të renditura si më poshtë :
Parashikimet e nenit 2, pika 2/b, të ligjit nr.26/2019, nuk janë në harmoni me parashikimet e Pjesës IV, nenet 510 e vijues të Kodit të Procedurës Civile, të cilat përcaktojnë rolin dhe funksionet kryesore të përmbaruesit gjyqësor. Gjithashtu këto dispozita bie ndesh me legjislacionin ekzistues që rregullon profesione të tjera.
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, nenet 517-519 përcaktojnë qartë detyrat e përmbaruesit gjyqësor në nisjen e një procedure ekzekutimi, fillimisht nëpërmjet një njoftimi të debitorit për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit e, më pas, kalimin procedural në ekzekutimin e detyrueshëm.
Referuar këtyre dispozitave shërbimi përmbarimor gjyqësor në sistemin e drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, përbën fazën e dytë të procesit të dhënies së drejtësisë nëpërmjet materializimit të së drejtës së kreditorit dhe përmbushjes së detyrimit të debitorit, palë të një procesi civil. Detyra që ushtron një përmbarues privat konsiderohet si një funksion publik i deleguar, nisur nga rëndësia që ka procedura e ekzekutimit të titujve ekzekutivë.
Sipas pikës 2 të nenit 2 të ligjit të miratuar nr. 26/2019, përmbaruesi gjyqësor privat do të ketë të drejtë të kryejë edhe veprimtari dytësore përtej rolit të tij klasik të ushtruar deri më tani, që përbën edhe detyrën parësore dhe funksionin kryesor të këtij shërbimi publik të deleguar.
Shërbimit dytësor i ri që i jepet përmbaruesit sipas shkronjës “b”, pika 2, e nenit 2 të ligjit nr.26/2019, sipas të cilit përmbaruesi gjyqësor privat mund të kryejë njoftimin dhe kryerjen e mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim, me kërkesë të të interesuarve, është një shërbimi që bie ndesh me rolin që ka përmbaruesi gjyqësor sipas Kodit të Procedurës Civile, i cili, për nga natyra, është pjesa fundore e sistemit të drejtësisë, që mundëson vënien në jetë të të drejtave të fituara.
Ky lloj shërbimi ku përmbaruesi gjyqësor privat do të angazhohet në mbledhjen e detyrimeve financiare me mirëkuptim, e përafron profesionin e përmbaruesit me rolin e ndërmjetësit, një tjetër profesion i lirë ky që përfshihet në profesionet që ofrojnë shërbime të kësaj natyre, apo me rolin e një institucioni apo shoqërie financiare në mbledhjen e borxheve.
Në këtë mënyrë, me këtë shërbim përmbaruesi, në kundërshtim me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, shfaqet dhe hyn në veprim në një proces të mbledhjes së detyrimeve jo në çastin që ka diktuar Kodi i Procedurës Civile; pra, pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, por shumë kohë përpara, duke marrë një rol aktiv negociator për arritjen e mirëkuptimit nga debitori për shlyerjen e detyrimit.
Pikërisht ky spostim i rolit të shërbimit përmbarimor gjyqësor, bie ndesh me rolin e tij si ekzekutues i titujve ekzekutivë që përcakton neni 515 i Kodit të Procedurës Civile, në të cilën përcaktohet se me çfarë mjetesh dhe aktesh është i pajisur përmbaruesi gjyqësor përpara se të kërkojë vënien në ekzekutim të një titulli sipas ligjit.
Përmbajtja e nenit 9, pika 1, 2 e ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, nuk përcakton një mekanizëm të qartë ligjor për të evidentuar nevojën reale mbi përcaktimin e numrit të përgjithshëm të përmbaruesve gjyqësor privat, si dhe shtrirjen e këtij shërbimi në të gjithë territorin e vendit.
Për të mos krijuar mundësi që në praktikë të krijohet problematikë që cenon ofrimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat në të gjithë territorin e vendit apo në një rreth të caktuar të tij, Presidenti i Republikës, vlerëson se dispozita e nenit 9, pika 1, të ligjit nr. 26/2019 dhe, për rrjedhojë të saj, edhe pika 2 e këtij neni, duhet të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi i Shqipërisë, me qëllim plotësimin e saj me të gjitha kriteret objektive shteruese dhe transparente, mbi të cilat duhet të mbështetet vendimmarrja publike për përcaktimin e numrit të përmbaruesve gjyqësorë privatë apo për shtimin dhe pakësimin e këtij numri gjithmonë në plotësim të nevojës publike në kohën e kërkuar dhe sipas gjendjes reale të kërkesës për këtë shërbim.
Dispozitat e neneve 58, 59, 60 nuk janë të plota dhe në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 8678 datë 15.04.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, i ndryshuar”. Veçanërisht pika 4 e nenit 59, në formën e miratuar është e paqartë çka mund të përbëjë shkak që në praktikë kjo dispozitë të zbatohet në kundërshtim të hapur me parimet e Kodit të Procedurës Civile, legjislacionin ekzistues, por dhe vet ligjin e miratuar nr. 26/2019.
Nëse do të krahasojmë përmbajtjen e dispozitave të nenit 59, të ligjit nr. 26/2019 me parashikimet e ligjit nr. 8678, datë 15.04.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, rezulton se ka një përplasje/mbivendosje midis përcaktimeve në këto akte.
Nga krahasimi parësor midis këtyre akteve ligjore, neneve 58, 59, 60 të ligjit nr.26/2019, me pikën 18/1, të nenit 6 të ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, rezulton se kemi një mbivendosje midis tyre, pasi ky i fundit kompetencën e mbikëqyrjes ia njeh si atribut Ministrisë së Drejtësisë dhe jo ndonjë organi tjetër, ndërkohë që neni 59 i ligjit nr.26/2019, mbikëqyrjen e veprimtarisë së përmbaruesve ja përcakton vetëm Dhomës Kombëtare të Përmbarimit.
Funksioni i përmbaruesit gjyqësor privat ashtu siç është përmendur edhe më sipër, është një funksion publik i deleguar që, logjikisht, kërkon që kontrolli dhe mbikëqyrja të jetë detyrë parësore e organit publik që e ka deleguar këtë funksion publik që, në këtë rast, është Ministri i Drejtësisë nëpërmjet strukturave përgjegjëse në varësi të drejtpërdrejtë prej tij.
Dhoma Kombëtare e Përmbarimit duhet të ketë rolin e saj mbikëqyrës, siç është përcaktuar në pikën 1, të nenit 59 të ligjit nr.26/2019, që duhet të ushtrohen në kuadrin e respektimit të Kodit të Etikës, standardeve profesionale dhe përmbushjen e detyrimeve si anëtar i Dhomës, por jo me autoritet urdhërues përgjatë veprimtarisë përmbarimore, e nxjerr rolin e dhomës nga ai që është parashikuar.
Në këtë mënyrë ushtrimi i këtyre kompetencave urdhëruese do të binte haptazi në kundërshtim me parashikimet e nenit 610, e vijues, të Kodit të Procedurës Civile, të cilat urdhërojnë se të gjitha veprimet e përmbaruesit gjyqësor kundërshtohen në gjykatë brenda një afati të caktuar dhe është gjykata ajo që duhet mund të vendosë mbi vlefshmërinë apo pezullimin e tyre.
Përveç pasojave të tjera, kjo do të krijonte një situatë konflikti të përmbaruesit me Dhomën, çka do të krijonte një tjetër konflikt me proces gjyqësor të kundërshtimit të akteve dhe, për pasojë, edhe vonesa procedurale për palët e lidhura me veprimtarinë përmbarimore objekt mbikëqyrje.
Parashikimet e nenit 88, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 26/2019, nuk janë të qarta dhe në formën e miratuar cënojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike.
Sipas përmbajtjes së kësaj dispozite tranzitore, kuptohet që nëpërmjet këtij ligji duhet të realizohet një proces screening/verifikues i plotësimit të kushteve dhe kritereve, pra i mënyrës sesi është pajisur apo licencuar cilido përmbarues gjyqësor privat me certifikatat e aftësisë profesionale apo licencat përkatëse, por njëkohësisht edhe përshtatja e tyre me parashikimet e ligjit nr.26/2019.
Ky proces verifikimi mbështetet nga Presidenti i Republikës, pasi në mënyrë të vazhdueshme shërbimi përmbarimor gjyqësor privat ka shfaqur problematika, të cilat janë vënë në dukje edhe në dokumentacionin parlamentar të reformës në sistemin e drejtësisë (Analiza e Sistemit të Drejtësisë dhe Plani i Veprimit).
Për këtë nevojitet që të verifikohet saktësisht nëse individët që kanë marrë një certifikatë të aftësisë profesionale, e kanë siguruar atë në përmbushje të parashikimeve të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, dhe nëse e meritojnë vërtet që të jenë pjesë e këtij shërbimi.
Sipas pikës 1, të nenit 88, me përmbajtjen e saj të miratuar shfaqet hapur kontradiksioni logjik mund të gjejë një interpretim të gabuar në praktikë ku, “Certifikatat e aftësisë profesionale të lëshuara nga Ministri i Drejtësisë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 26/2019, do të vlerësohen për sa i takon përputhshmërisë së tyre me kërkesat e këtij ligji të ri (ligjit nr. 26/2019).
Nëse dispozita e nenit 88, pika 1, nuk ka pasur për qëllim realizimin e këtij procesi në mënyrë të tillë, atëherë kjo përmbajtje e paqartë e normës ligjore, i lë shteg zbatuesit të saj t’i japë kuptime të ndryshme dhe që mund të sjellë pasoja negative. Pikërisht kjo gjendje nuk është në përputhje me parimet kushtetuese dhe me qëllimin, stabilitetin, besueshmërinë dhe efektivitetin që synon ligji nr. 26/ 2019.
Nëse qëllimi i miratimit të kësaj dispozite ka qenë pikërisht realizimi i verifikimit, në mënyrën siç është shprehur, atëherë jemi përpara cenimit flagrant të parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe cenimit të të drejtave të fituara në mënyrë të ligjshme, parime këto, për të cilat Gjykata Kushtetuese ka një praktikë të gjatë dhe shteruese në këtë drejtim.
Presidenti i Republikës vlerëson se, në kushtet kur Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat është funksion publik i deleguar dhe paraqet fazën përfundimtare të vënies në vend të së drejtës së fituar me vendim gjyqësor, çmon të domosdoshme që në këtë ligj mund të ishte parashikuar në mënyrë të kujdesshme dhe objektive edhe kryerja e një procesi rivlerësimi kalimtar (vetting) për të gjithë subjektet që gëzojnë certifikata apo licenca të ushtrimit të shërbimit përmbarimor privat, me qëllim rivlerësimin e aftësive të tyre profesionale, etike dhe morale.
Nën këtë kontekst, në vlerësim të Institucionit të Presidentit të Republikës realizimi i një procesi rivlerësimi kalimtar (vetting) për trupën e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat mund të jetë i nevojshëm me qëllim që ai të kryhet paralelisht me rivlerësimin e sistemit të drejtësisë në tërësi, në mënyrë që asnjë pjesë e tij të mos infektojë pjesën tjetër.
Presidenti i Republikës, konstaton se gjatë procesit të diskutimit dhe miratimit të akteve në kuadër të realizimit të reformës në sistemin e drejtësisë Kuvendi nuk i ka kushtuar të njëjtën vëmendje edhe reformimit të shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.
Është përgjegjësi e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë që të kujdeset për përmirësimin e njëtrajtshëm të legjislacionit për të dy këto shërbime përmbarimore (shtetërore dhe private) në mënyrë që cilësia e veprimtarisë së tyre të ofrojë mundësisht të njëtin standard të trajtimit me ligj.
Në të kundërt, nëse një prej këtyre shërbimeve (privati) do të kishte një bazë ligjore të shëndoshë dhe shërbimi tjetër jo (shtetërori), atëherë është e pashmangshme një situatë favorizuese ndaj njërit (privatit), dhe në këtë mënyrë cilësia e veprimtarisë ndaj qytetarit në shërbimin përmbarimor shtetëror do të krijonte problematikë për shkak të pamundësisë për të operuar me një legjislacion që i përgjigjet kërkesave të kohës.
Përcaktimi i një politike të qartë dhe të shprehur mbi këtë çështje është detyrë e organeve shtetërore që ushtrojnë autoritetin rregullator mbi të dy këto shërbimeve.
Presidenti i Republikës, gjen rastin t’i drejtojë këtë mesazh qeverisë shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në realizimin e nismës ligjore për përmirësimin e legjislacionit që rregullon veprimtarinë e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, për ta sjellë atë në të njëjtat standarde të parashikimit ligjor me ato të Shërbimit Përmbarimor Privat, në mënyrë që, të nxitet edhe konkurencën midis tyre, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit dhe rritjes së nivelit të ekzekutimit të titujve ekzekutivë.
Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës, dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr.26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, me qëllimin që Kuvendi i Shqipërisë të rishikojë jo vetëm nenet 2 pika 2/b, 9 pika 1, 2, neni 12 pika 1, nenet 58 – 60, nenin 59 pika 4, dhe 88 pika 1, 2, por edhe gjetjet, konstatimet dhe problematikat e evidentuara nga Presidenti i Republikës në arsyetimin e tij.