Palestinezët po protestojnë kundër një nisme ekonomike të Shtëpisë së Bardhë për të krijuar një fond prej 50 miliardë dollarësh për investime në territoret palestineze dhe shtetet arabe fqinje. Nisma, e njoftuar në një konferencë në Bahrein të martën, është pjesë e një plani të paqes në Lindjen e Mesme që Presidenti Trump e ka quajtur “Marrëveshja e shekullit”. Por palestinezët këmbëngulin se nuk mund të ketë një vizion ekonomik pa një zgjidhje politike.
Palestinezët u përleshën me forcat izraelite dhe dogjën fotografi të Presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa protestuan kundër planit ekonomik “Paqe për Begatinë” të administratës së tij.
Nisma vendos një qëllim ambicioz prej 50 miliardë dollarë investimesh në territoret palestineze dhe tre vende fqinje arabe.
Ky është komponenti ekonomik i një plani paqësor për Lindjen e Mesme të quajtur “Marrëveshja e Shekullit” nga Presidenti Trump, i udhëhequr nga dhëndri i tij, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner.
“Mesazhi im i drejtpërdrejtë për popullin palestinez është se pavarësisht nga ato që thuhen nga ata që ju kanë dështuar juve në të kaluarën, Presidenti Trump dhe Amerika nuk kanë hequr dorë nga ju”.
Plani u njoftua të martën në një konferencë në Manama të Bahreinit, në të cilën nuk morën pjesë as palestinezët, dhe as zyrtarët izraelitë.
Fondet do të vijnë kryesisht nga vendet e Gjirit Persik, përmes granteve dhe burimeve private të kapitalit. Nuk është e qartë se çfarë kontributi financiar do të japin Shtetet e Bashkuara.
“Ne duhet të gjejmë mbështetje ekonomike, sepse palestinezët nuk kanë para. Ne duhet t’i ndihmojmë palestinezët me para. Në këtë drejtim mund të ndihmojnë disa vende të Lindjes së Mesme që kanë para, kështu që ato do të luajnë një rol në planin e paqes”, tha Presidenti Trump.
Disa analistë e quajtën të vdekur këtë plan paqeje.
“Ju keni të gjitha këto premtime financiare në një konferencë, ku nuk ishin të pranishëm izraelitët. Edhe palestinezët nuk ishin të pranishëm dhe askush që ka para nuk do t’i ofrojë ato në atë konferencë të tillë”, thotë Zaha Hassan nga Rrjeti i Politikave Palestineze Al-Shabaka.
Palestinezët e kundërshtojnë planin, sepse ai nuk i trajton kërkesat e tyre për shtetësi, statusin e Jeruzalemit dhe fatin e refugjatëve.
“Vetëm kur ka një zgjidhje politike, në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe vizionit për zgjidhje me dy shtete, do t’i mirëpresim ata që dëshirojnë të na ndihmojnë, në Manama apo në çdo vend tjetër”, tha Presidenti i palestinezëve, Mahmoud Abbas.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se është i hapur për planin.
“Nuk e kuptoj se si palestinezët, para se të dëgjojnë planin, e refuzojnë atë plotësisht. Kjo nuk është mënyra për të vazhduar përpara”.
Shumë nga projektet e këtij plani do të varen nga arritja e një marrëveshje paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Por zyrtarët amerikanë nuk do të zbulojnë pjesën politike të planit deri në nëntor, pasi të mbahen zgjedhjet në Izrael dhe të formohet qeveria e re. Disa analistë thonë se ky ëshë një gabim serioz.
“Nëse ne nuk e dimë se ku janë tokat palestineze, nuk e dimë se ku janë kufijtë, atëherë asnjë nga këto projekte nuk mund të zbatohen dhe ato janë të gjitha ëndrra të ardhshme që Shtëpia e Bardhë po i nxjerrë në shesh pa asnjë ide se si do të çohen përpara”, thotë Zaha Hassan nga Rrjeti i Politikave Palestineze Al-Shabaka.
Mungesa e palestinezëve dhe izraelitëve në konferencë, nënvizoi vështirësitë e administratës së Presidentit Trump për të rifilluar përpjekjet e ngecura prej kohësh për paqe.