Vendosni fjalën kyçe....

Plani i opozitës së bashkuar për 30 qershorin: Protesta masive


Ndërkohë që maxhoranca nuk lëkundet në vendimin për të mbajtur zgjedhjet më 30 qershor pavarësisht dekretit të presidentit dhe mungesës së garës, opozita planifikon mbajtjen e protestave në këtë datë dhe pas saj në të gjithë vendin.

Sipas PD-së, opozita dhe qytetarët do të protestojnë në të 61 bashkitë e vendit në mbrojtje të demokracisë dhe rendit kushtetues dhe kundër farsës së votimeve të paligjshme.

“Ditët e ardhshme, duke kulmuar me 30 Qershor dhe pas kësaj date, do të jenë ditë protestash në të gjithë vendin. Opozita dhe qytetarët do të protestojnë në të 61 bashkitë e vendit në mbrojtje të demokracisë dhe rendit kushtetues dhe kundër farsës së votimeve të paligjshme. Në bashkëpunim me Aleancën Qytetare në Mbrojtje të Demokracisë, Partia Demokratike dhe aleatët e Opozitës së Bashkuar kanë njoftuar protesta në të gjitha bashkitë kundër votimeve njëpartiake, në kundërshtim me Kushtetutën. Protestat vene ne dukje bashkepunimin e Edi Ramës me bandat e drogës dhe krimit të organizuar. “, thuhet në një njoftim të opozitës.

Protestat më 30 qershor do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të zhvillohen në sheshe qendrore dhe pranë KZAZ-ve.

Kujtojmë se Këshilli i Evropës sot njoftoi anulimin e dërgimit të delegacionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri. Ky vendim vjen vetëm 4 ditë para zgjedhjeve.

KiE sqaroi se e ka ndërmarrë këtë veprim për shkak të rreziqeve të mundshme të sigurisë në zona të caktuara./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *