Vendosni fjalën kyçe....

Katër ambasadorët që nxituan të shpëtojnë zgjedhjet e Ramës, pas goditjes nga KiE


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e Britanisë së Madhe dhe e Italisë duket se mbështesin kryeministrin Edi Rama për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor.

Në ditën kur Këshilli i Europës vendosi të tërhiqte vëzhguesit e vet për zgjedhjet, tre ambasadat në fjalë së bashku me OSBE-në i janë drejtuar me shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për akreditimin e vëzhguesve të tyre. Shkresat mbajnë datën 26 qershor 2019.

Kështu, katër ambasadorët që i erdhën në ndihmë kryeministrit Rama për vëzhgimin e zgjedhjeve janë ai italian Roberto Cutillo, ai britanik Duncan Norman, ai i OSBE-së Bernd Borchard dhe e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane Leyla Moses-Ones.

Këshilli i Evropës  ditën e djeshme vendosi të anulojë delegacionin për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit në Shqipëri vetëm 4 ditë para zgjedhjeve, duke argumentuar se kjo bëhet “për shkak të paqartësisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do mbahen zgjedhjet”.

Më vonë gjatë ditës KiE publikoi një deklaratë lidhur me mos dërgimin e vëzhduesve për zgjedhjet e 30 qershorit por që pas disa minutash kjo deklaratë u fshi nga faqja.

Në deklaratën e publikuar por më pas të fshirë nga interneti theksohej se Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale vendosi të mos dërgojë mision vëzhguesish për zgjedhjet pasi “duke pasur parasysh faktin se në 31 nga 61 komunat vetëm një kandidat është në garë për votimin lokal, është e vështirë të pritet një konkurrencë e rëndësishme politike dhe kjo nënkupton rrezikun logjistik për Këshillin se nuk është në gjendje të vendosë një mision të plotë përgjatë gjithë vendi, i cili është një procedurë standarde gjatë Misioneve të Zgjedhjeve të Kongresit në përputhje me rregullat tona”.

Nuk dihen shkaqet pse kjo deklaratë është fshirë vetëm disa minuta më vonë pasi është hedhur. Megjithatë qëndrimi i KiE-së është i qartë, zgjedhjet e 30 qershorit nuk mbështeten./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *