Vetëm 20 minuta ka zgjatur takimi mes presidentit të Republikës Ilir Meta dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Pasi ka dalë nga Presidenca, Basha ka refuzuar të japë komente për gazetarët. Më pas ai është larguar në drejtim të selisë blu.
Takimi mes Bashës dhe Metës bëhet tre ditë përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, pas ftesës së presidentit. Meta ftoi në takim edhe kryeministrin Edi Rama, duke i thënë se do ta priste në Presidencë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 13:00.
Mirëpo Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal që ky takim do të bëhet. Përkundrazi, e ka refuzuar ftesën e presidentit duke thënë: “kemi zgjedhje, jam i zënë“.
Pavarësisht deklaratës së kryeministrit, Meta u tregua i përpiktë duke mbërritur në Presidencë që në orën 05:00. Basha gjithashtu u tregua i përpiktë duke mbërritur në orën 09:00 në takim, ashtu siç ishte njoftuar.
Situata politike në vend ka shkaktuar shqetësime edhe në Italinë fqinje, ku ministri i Brendshëm dhe zv.kryeministri Matteo Salvini deklaroi dje se nuk dëshiron të kthehet situata e vështirë e viteve ’90 pasi vendi i tij ka probleme me emigrantët e vendeve të tjera, me të cilët duhet të merret./Hashtag.al