Presidenca ka reaguar lidhur me deklaratat e Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtmë në Kongresin Amerikan Eliot Engel duke theksuar se Kreu i Shtetit Shqiptar siguron se do bëjë që të gjitha përpjekjet për të organizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike.
Gjithashtu, nëpërmjet kësaj deklarate të shpërndarë nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, shpreh vlerësimet për vëmendjen e treguar nga Engel.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës.
Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”-deklaroi zëdhënësi i Presidentit.