Pas postimit në llogarinë e tij në ‘Twitter,’ kryeministri Rama ka ripërsëritur qëndrimin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor.
Ai e ka emërtuar presidentin Meta si Haxhi Qamili, i cili sipas tij është në shkarkim e sipër dhe se vendimi i tij për zgjedhjet në tetor, është një arsye më shumë për të votuar ditën e dielë.
‘Haxhiu, ai i pari, Qamili pra, mbante në xhep një vulë, e cila ishte nje togëz rripi që trimat e tij e kishin plaçkitur, mes shumë sendesh të karvaneve tregtare. Mbi të shkruhej greqisht “Kompani kafeje Export-Import” dhe dekretet e Haxhiut vuloseshin me të, pa e ditur as ai vetë ç’shkruhej mbi të! Ndërsa Haxhiu tjetër, Salvatori ynë Qametaj ose ndryshe, Presidenti ynë në shkarkim e sipër, e di çfarë shkruhet mbi Vulën e Republikës, po s’di hiç çfarë bën me dekretet për llogari të Saliut, Lulit e Monikës.
Baba Haxhiu u ngjall, po zgjedhjet nuk i vret dot dhe data e re e Baba Xhikes është një arsye e fortë më shumë, për të votuar të dielën, më 30QERSHOR, qetësisht e vendosmërisht, si shqiptarë pa dallim e as ngurrim, kundër karnavaleve të politikës pa din e as iman.’ – shkruan Rama në ‘Facebook’.