Kryetari i PD-së, Basha, ka dënuar shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila, ndërsa e ka cilësuar të gjithën një skenar të kryeministrit Rama për dhunë dhe konflikt civil.
Në fjalën e tij për mediat nga selia blu, Basha u bëri thirrje të gjithë mbështetësve të PD-së, që të mos bien pre e provokimeve dhe skenareve kriminalë të kryeministrit Rama.
Deklarata e Bashës
Edi Rama ka shkarkuar sot, në shkelje të ligjit dhe dhunim të Kushtetutës, Zef Hilën, kryebashkiakun e Vaut të Dejës.
Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve.
Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë, dhe mercenarin Sandër Lleshi, një njeri i pa zgjedhur, i pa votuar, pa asnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës.
Nuk ka asnjë motiv dhe nuk ka asnjë arsye për shkarkimin e tij. Zef Hila nuk ka qenë as fizikisht dhe në asnjë mënyrë tjetër i përfshirë në incidentin e djeshëm në Vaun e Dejës.
Shkarkimi është një akti kriminal i një autokrati të kriminalizuar që tani po përdor forcën e pushtetit vetëm për të mbrojtur bashkësundimin e tij me krimin.
Zef Hila është një burrë i matur, kurajoz dhe me dinjitet. Ai nuk përzihet në planet tinzare dhe burracake të Edi Ramës kundër njerëzve të pafajshëm.
Sepse ajo që ndodhi në Vaun e Dejës ishte një skenar i organizuar nga Edi Rama me Tom Doshin për të krijuar konflikte. Edi Rama është duke kërkuar viktima për të mbajtur pushtetin.
Edi Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin. Dhe si përherë këto plane kriminale i bën dhe zbaton me të fortë dhe kriminelë. Ne nuk do ta lejojmë këtë plan antishqiptar, që mund të ndezë përplasje të madhe kudo.
Ndaj, ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, por edhe të gjithë qytetarëve, mos bini pre e provokimive dhe e skenarëve kriminalë të Edi Ramës dhe shpurës së banditëve të tij.
Ne jemi të fortë. Ne jemi shumica. Ne e dimë cila është rruga përpara dhe nuk ka asgjë që na kthen mbrapsht.
Shqipëria do të bëhet shpejt shumë mirë.
Rama dhe mercenarët e tij do të jenë shumë keq, së shpejti.
Ata e dinë fundin e tyre, prandaj reagojnë si egërsirat e plagosura për vdekje.